Telegrafi

Enrique e cilëson si të vështirë ndeshjen e Superkupës ndaj Sevillas

Barcelona do të kërkoj të fitoj Superkupën e Spanjës për herë të 12-të në historinë e klubit.

Gjiganti katalunas është gati për përballjen e parë ndaj skuadrës andaluziane që do të zhvillohet këtë të diel në stadiumin e Sevillas, Ramon Sanchez Pizjuan.

Trajneri i blaugranave, Luis Enrique, e di që ndaj skuadrës së Jorge Sampaolit, Barcelona nuk do ta ketë thjeshtë.

“Kjo Sevillë është e ndryshme pasi ata kanë bërë shumë ndryshime në skuadër. Sampaoli për shembull ka filozofinë e tij si trajner, që të them të drejtën mua më pëlqen shumë. Sevilla është përforcuar me shumë lojtarë cilësorë dhe do të vazhdojë të jetë një skuadër e rëndësishme në La Liga dhe në Evropë”, deklaroi fillimisht Enrique.

“E sigurt është që do të zhvillohet një ndeshje e bukur. Për ne, misioni është për të fituar Superkupën e Spanjës, trofe që i mungon Barcelonës që prej vitit 2013 dhe nuk do të jetë i lehtë sepse përballë kemi një kundërshtar shumë të fortë”.

“Nuk jemi ende në ritmin e duhur, por mendoj se kemi bërë një fazë përgatitore të mirë. Vijmë në këtë ndeshje ashtu siç e kishim parashikuar”.

“Këtë vit nuk kemi bërë udhëtime të gjatë nëpër botë të cilat në një farë mënyre i torturojnë futbollistët. Vitin e kaluar vepruam ndryshe dhe fillimi i sezonit ishte i vështirë për ne”, përfundoi trajneri spanjoll. /Telegrafi/