Emisioni Zona Express, me autor Leonard Kerqukin, ka transmetuar sonte dokumentarin “Tradhtari i Madh” kushtuar funksionarit komunist të Kosovës, Rrahman Morinës – emër ky i urryer ndër shqiptarë, meqë me të cilin identifikohet tradhtia kombëtare.
Në këtë dokumentar trajtohen momentet e jetës së tij nga periudha kur ai ishte mbështetës i politikës së udhëhiqte lideri serb, Sllobodan Millosheviq.
Në këtë emision flet Momçillo Trajkoviq, ish-zyrtari i lartë serb që përflitet edhe si vrasës i Rrahman Morinës. Po ashtu, flasin funksionarët shqiptarë të asaj kohe, si Kaqusha Jashari dhe Azem Vllasi, që përmbysen nga pushteti meqë kundërshtuan – sidomos Jashari – politikën antishqiptare të Serbisë.
Vllasi thotë se Morina me vetëdije ka tradhtuar. Ndërsa, Jashari thotë se ai mbase njëherë nuk e ka ditur se si do shkojnë gjërat e pastaj ka plasë kur ka parë se çfarë ka bërë.
“Diçka ka ndodhur me të”, thotë Jashari, për njeriun që njëherë kishte thënë të vërtetën që Serbia nuk donte ta dëgjonte.
Për vdekjen e tij japin versione të ndryshme Trajkoviqi dhe mjeku Faik Hima.
Për të nuk flasin keq bashkëfshatarët e tij në Loxhë të Pejës. Madje, thonë se Morina ka thënë se nëse “shpëton nga mbledhja e fundit, do ta marrin vesh shqiptarët kush është ai”!