Telegrafi

Energjinë elektrike për tunelet në autostradën Kosovë-Shqipëri do ta garantojë Kosova

Ndërtimi i largpërçuesit Prizren-Kukës, siç njoftoi korrespodenti i MIA-s nga Tirana, do të jetë kryesisht në shërbim të furnizimit normal dhe pandërprerë me energji elektrike në tunelet, të cilat janë pjesë e autostradës Kosovë-Shqipëri (autostrada Durrës-Kukës-Prishtinë).

Gjatë vitit 2009 pritet të fillojë ndërtimi i largpërçuesit 400 kilovatësh Kosovë-Shqipëri. Ndërtimi i tij planifikohet të përfundojë për 20 muaj.

Burime të njëjta theksojnë se qeveria gjermane ka shfaqur gatishmëri për sigurimin e grantit për konsultantë dhe mbikëqyrje të realizimit të projektit nga ana shqiptare.

Njëkohësisht, komisioni adekuat qeveritar i Gjermanisë ka dhënë pajtueshmëri për financimin e pjesës kosovare të largpërçuesit prej 400 kilovatësh Kosovë-Shqipëri, nëpërmjet Bankës gjermane për zhvillim.