Site icon Telegrafi

Energjia shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të Kosovës

Arieta Pajaziti-Qerimi kryesuese e Bordit në Asociacionin e Grave në Sektorin e Energjisë në Kosovë (AGSEK), tha se energjia do të jetë shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Sipas saj, ky Asociacion është themeluar në qershor të këtij viti dhe ka për qëllim përkrahjen për gratë që të jenë më aktiv në sektorin energjetik.

“Asociacioni i Grave në Sektorin e Energjisë në Kosovë ka për qëllim fuqizimin e gruas në sektorin e energjisë në Kosovë”, tha ajo sot në emisionin e mëngjesit në RTK.

Sipas saj, Asociacioni do të punojë në përkrahjen e grave në fushën energjetike. “Ne do të fillojmë të punojmë në projekte të reja për efiçiencë në amvisëri. Ideja për kursimin e energjisë krijon një parim”, tha Pajaziti-Qerimi.

Sipas saj në KOSST dhe KEDS ka femra kosovare që punojnë në teren dhe bëjnë punën e njëjtë si meshkujt. “Opinioni është i njoftuar pak me këto raste. Këto kanë kaluar të gjitha sfidat për të arritur aty ku janë”, deklaroi ajo.

Pajaziti-Qerimi vlerësoi se energjia do të jetë shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të Kosovës. “Kushtet në sektorin e energjisë në Kosovës janë të vështira, duke e marrë parasysh natyrën e punës”, tha ajo.

Asociacioni i Grave në Sektorin e Energjisë në Kosovë (AGSEK), është themeluar me përkrahje të USAID Amerikan (RePower). /Telegrafi/

Exit mobile version