Përfaqësuesja shqiptare në garën për këngën më të mirë europiane, ka përfunduar pjesën më të rëndësishme të promovimit të këngës “Fairytail” në skenat europiane.
Pas Holandës e Anglisë, Eneda Tarifa do të udhëtojë në Serbi e Maqedoni për të vijuar promovimin, ndërsa rrëfen për Top Channel rëndësinë që ka ky tur, përpara debutimit në skenën e Eurovision.
“Është shumë i rëndësishëm, pasi në një farë mënyre vendos se cili është ai këngëtar që bijë më shumë në sy, që krijon më shumë efekt në publik, që mund të këndojë dy ose tre këngë. Janë të gjitha shumë të rëndësishme, janë të gjitha pjesë të fazës paraprake përpara finales në Stokholm”, shprehet këngëtarja.
E pyetur për vështirësitë e hasura në këtë tur, për momentet jo të këndshme me të cilat i është dashur të përballet, Eneda përgjigjet “Nuk hasur vështirësi, përveç lodhjes fizike sepse intensiteti është shumë i madh. Më shumë e shikoja veten në për avion, nëpër skena dhe nëpër intervista se sa duke fjetur. Pjesa tjetër ka qenë shumë e bukur dhe pa asnjë lloj vështirësie”.
Për prezantimin në datën 12 maj, Tarifa zbulon se tashmë është vendosur një skice e përgjithshme, e cila do të kombinohet me ndriçimin, ngjyrat dhe pamjet që do të shfaqen në “ledwall”, ndërsa shton se do të ketë edhe efekte skenike si: tymi dhe bora, duke lënë të kuptohet se po punohet që të krijohet magjia e përrallës, si titulli i këngës me të cilën Eneda do të garojë në këtë garë muzikore.