Telegrafi

Ëndrra vazhdon, fitore dhe spektakël ndaj Malit të Zi

Kosova ka arritur të shënojë fitore të madhe ndaj Malit të Zi me rezultat 2-0, ku nuk munguan rastet e shumta dhe spektakli në tribuna.

Ndeshja e vlefshme për eliminatoret e Euro 2020, shkoi në mënyrën më të mirë për ekipin tonë, me një dominim fantastik nga fillimi deri në fund, ku rezultati ka mundur të jetë më i lartë.

Me të filluar ndeshja në minutën e 10-të, Kosova kaloi në epërsi me një gol të mbrojtësit Amri Rrahmani me kokë, pas harkimit nga këndi të Bersant Celinës (1-0).

Kosova nuk u ndal duke i radhitur rastet me Milot Rashicën, Vedat Muriqin dhe Florent Hadërgjonajn, por pa sukses.

U desh të pritet minuta e minuta e 35-të e ndeshjes, kur një kundërsulm i shpejtë i ekipit tonë e vuri në vështirësi mbrojtjen malazeze, ku Florent Hadërgjonaj pason bukur te Vedat Muriqi që shënon pas dy tentimeve (2-0).

Edhe pas golit djelmoshat tanë e ruajtën dominimin si me top edhe me raste.

Edhe pjesa e dytë nisi me një dominim të lehtë të malazezëve, pasi edhe Fatos Beqiraj u futë në lojë në pjesën e dytë.

Në minutën e 56-të Dusan  gjuan, por jashtë.

Kosova rastin e mirë të parë në pjesëne dytë e kishte me Florent Hadërgjonaj, që nuk e arrin një pasim të bukur nga Vojovda në minutën e 63-të.

Në minutën e 68-të mëkat që nuk erdhi goli i tretë, pasi që Vedat Muriqi gjuan bukur me kokë, por topi godet transversalen.

Në atë aksion topi vije te Bersant Celina që gjuan bukur, por ngjitur me shtyllën.

Rashica rrezikon në minutat 71 dhe 72, por pa fat për ta gjetur golin.

Aksion tjetër perfekt ishte ai i minutës së 75-të, kur Celina pason bukur te Berisha e ky ia vazhdon Muriqit, i cili me një goditje me kthim gjuan ngjitur me shtyllën.

Më minutën e 80-të pas një kundërzbritje edhe Herolind Shala kishte rast të mirë, por që goditja e tij shkon mbi portë.

Rastin e fundit e kishte Muriqi që i vetëm me portier gjuajti në duart e tij.

Kosova me këtë fitore tani ka 11 pikë, një më pak se Çekia. /Telegrafi/