Site icon Telegrafi

Ëndrra olimpike që u shndërrua në tragjedi: Atletja u mbyt në përpjekje që ta kalonte detin me not

Dhjetë atletë refugjatë bënë historinë të premten në mbrëmje në ceremoninë hapëse të Lojërave Verore Olimpike në stadiumin “Marakana” në Rio.

Por, vrapuesja Samia Omar nuk kishte fat të mbijetonte. Ajo kishte konkurruar për shtetin e saj Somalinë, por pati një fat tragjik kur mundohej të kalonte Detin Mesdhe në vitin 2012, transmeton Klan Kosova.

Omar përfaqësonte shtetin e saj në Lojërat Olimpike të vitit 2008 në Pekin, në një kohë kur vetëm dy sportistë ishin zgjedhur nga vendi i saj që të merrnin pjesë në atë ngjarje.

Ajo kishte vrapuar e veshur me një bluzë të bardhë dhe këpucë që ia kishin dhuruar ekipi i femrave të Sudanit. Ndonëse ajo theu rekordin personal, Omar doli e fundit në këtë garë.

Omar nuk kishte arritur të bëhej ashtu siç kishte ëndërruar për shkak të mungesës së financimit e në vitin 2010 ajo po jetonte në një kamp jashtë qytetit të saj. Në vitin 2012 ajo vdiq në rrugën e saj për në Itali në një anije me 70 persona të tjerë.

Gjatë një interviste në vitin 2008 në Pekin, ajo nuk kishte dashur të përgjigjet lidhur me vështirësitë që ka pasur për të arritur deri aty.

“Ne e dimë që jemi ndryshe nga atletët e tjerë. Por ne nuk dëshirojmë që ta shfaqim këtë gjë. Ne tentojmë shumë që të dukemi si të tjerët. E dimë që nuk ju afrohemi nivelit të garuesve të tjerë, por ne dëshirojmë që të tregojmë dinjitet për veten dhe shtetin tonë”, ishte shprehur Omar.

Exit mobile version