Telegrafi

“Ëndrra ime bëhet realitet, do të jap jetën time për këtë klub”, fjalët e para të Mbappes si lojtar i ri i Real Madridit

Kylian Mbappe ka nënshkruar sot (e martë) dhe është prezantuar si lojtari më i ri i Real Madridit, duke thënë edhe fjalët e para në një ‘Santiago Bernabeu’ të mbushur përplot me tifozë.

Ylli francez ka nënshkruar më në fund një kontratë pesëvjeçare me klubin mbretëror, pas marrëveshjes së arritur një muaj më parë, kur vendosi të mos rinvojë kontratën me Paris Saint-Germain.

Pas testeve mjekësore në Valdebebas, Mbappe shkoi në ‘Santiago Bernabeu’, ku nënshkroi kontratën më prani të presidentit Florentino Perez dhe pastaj doli në fushë për t’u prezantuar me fanellë para tifozëve.

Lexo po ashtu Mbappe nënshkruan kontratën dhe prezantohet zyrtarisht si lojtar i  Real Madridit

Pas prezantimit, Mbappe tha fjalët e para si lojtar i ri i Los Blancos, ku tregoi se ka bërë realitet ëndrrën e fëmijërisë, teksa shtoi se do të ‘vdes’ për këtë fanellë. Në fund, francezi pati edhe disa fjalë për fëmijët e pranishëm në stadium.

“Mirëmëngjesi të gjithëve. Do të përpiqem të flas në spanjisht”, ka thënë fillimisht Mbappe pas prezantimit, duke marrë ovacione të shumta nga tifozët.

“Uau… është e pabesueshme të jem këtu. Kam ëndërruar të luaj për Real Madridin për shumë vite dhe sot ëndrra ime bëhet realitet. Jam një djalë i lumtur, dua të them faleminderit për presidentin Florentino Perez, i cili më ka besuar që nga dita e parë… por falënderoj edhe të gjithë njerëzit që më kanë bërë këtu”.

“Është një ditë e pabesueshme. Që kur isha fëmijë kam pasur vetëm një ëndërr dhe të jem këtu do të thotë shumë për mua. Faleminderit tifozëve të Real Madridit sepse për shumë vite më kanë dhënë dashurinë e tyre. Tani kam një ëndërr tjetër  është për të jetuar sipas historisë së këtij klubi, unë do të jap jetën time për këtë klub dhe këtë stemë”.

“Kam një mesazh për fëmijët. Unë kam qenë një fëmijë si ju. Me pasion dhe ëndërr mund të arrini gjithçka që dëshironi”.

 

“Jam krenar që përmbush ëndrrën time dhe jam lojtar i klubit më të mirë në historinë e futbollit. Nuk mund ta besoj se do të përfundoj duke qarë. Dhe tani të gjithë së bashku: 1,2,3 HALA MADRID!!”, përfundoi ylli francez.

Gjatë prezantimit nuk munguan lotët nga Mbappe, i cili disa herë edhe puthi stemën e klubit. /Telegrafi/