Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ka bërë një postim dedikues për ditëlindjen e të atit, i cili feston sot 56-vjetorin e lindjes.
Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Instagram, Endriti me disa fjali të shkurta por kuptimplote ia uroi ditëlindjen ish-presidentit të Kosovës.
“Babi sot i mbush 56 vjet. Ditëlindja e tretë që po e kalon me shokë në Hagë, por me shpirt e vëmendje është me neve, duke ju gëzuar çdo lajmi të mirë nga familja e miqtë”, shkroi Endriti.
“Jam i bindur që ditëlindjen e ardhshme, ne familja dhe shokët e tij do të na vjen radha për t’ju gëzuar lajmit të mirë të kthimit të tij në atdhe. Urime dhe të dua babë”, ishte dedikimi që bëri ai për ditëlindjen e babait të tij.
Thaçi ishte president i vendit më 5 nëntor 2020, kur Specialja konfirmoi aktakuzën ndaj tij.
Atë ditë ai thirri një konferencë për media dhe njoftoi se po jepte dorëheqje. Tash e tre vjet, ai po qëndron në paraburgim në qytetin e Hagës. /Telegrafi/