Endrit Jerliu nga Gjilani, një emër tashmë i shquar në boksin Kosovar, ka triumfuar në Kupën e Botës, duke mposhtur qysh në raundin e tretë turkun, Akyuz Cahit Emin.
Në Kupën e Botës për boks, e cila po mbahet në Budva të Malit të Zi, Jerliu ka shkëlqyer në kategorinë deri në 75 kg, duke arritur një fitore të rëndësishme.
Selektori i Kombëtares së Kosovës për boks U18, Nazim Halili, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e Jerliut, duke e vlerësuar atë si një talent të jashtëzakonshëm.
“Endriti edhe njëherë dëshmoi se është një talent i madh i boksit. Ai sonte ka shkëlqyer, duke mos i dhënë asnjë mundësi kundërshtarit”, theksoi Halili pas fitores.
Pas duelit, boksieri Jerliu u shpreh i lumtur për suksesin e tij dhe për përgatitjet e bëra në dy muajt e fundit nën udhëheqjen e trajnerit, Nazim Halili.
“Jam shumë i lumtur për këtë fitore. Me trajnerin Nazim Halili jam përgatitur tash e dy muaj për këtë sfidë të Kupës së Botës. Është një konkurrencë shumë e fortë, ku marrin pjesë 21 shtete dhe 221 boksierë”, deklaroi Jerliu.
Ndryshe, në duelin e tij të radhës, Jerliu do të përballet pasnesër (e premte) me boksierin Siniak Ivan nga Bjellorusia, ku synon të vazhdojë serinë e fitoreve dhe të ecë përpara në këtë turne prestigjioz. /Telegrafi/