Telegrafi

Endrick zbulon arsyet pse zgjodhi Real Madridin para skuadrave tjera të mëdha

Real Madridi ditë më parë bëri një transferim të madh për të ardhmen, duke nënshkruar me sulmuesin brazilian Endrick.

Talenti i madh brazilian do ta mbyll vitin 2022 si futbollist i Real Madridit, edhe pse nuk do të ushtrojë me Los Blancos deri në verën e vitit 2024.

18-vjeçari do të qëndroj si i huazuar te Palmeiras gjatë kësaj periudhe pasi i nevojiten hapësira më të mëdha për të luajtur.

Por në një intervistë për Marcan, Endrick ka zbuluar edhe arsyet pse zgjodhi Real Madridin para skuadrave të tjera të interesuara për të si Chelsea, Man City, Man Utd, PSG e Barcelona.

“Real Madridi është një ekip shumë i madh dhe Vini më kishte dërguar mesazhe dhe më dha më shumë shpresë. Cristiano Ronaldo është idhulli im dhe ai luajti gjithashtu për Real Madridin”.

“Prandaj zgjodha Real Madridin dhe mendoj se është zgjedhja e duhur. Zoti ka ka qenë gjithmonë me mua dhe më ka thënë se kjo është mënyra më e mirë”, ka thënë Endrick.

Talenti brazilian ka thënë se ka folur tanimë me trajnerin Carlo Ancelotti, por edhe me gjithë brazilianët e Los Blancos.

“Po, kam folur me Ancelottin, me Rodrygon, me Ederin, me brazilianët. Falënderoj shumë Zotin për gjithçka që ndodh në jetën time dhe shpresoj që shumë gjëra të mira të vijnë akoma, por duhet të mbani këmbët në tokë të keni përulësi dhe të duroni para se të vinë të mirat”, u shpreh Endrick. /Telegrafi/