Site icon Telegrafi

Ëndërrimi i utopisë: T’i fotografosh vitet ‘60

“Vitet gjashtëdhjetë” quhet ekspozita që po mbahet në Madrid, si pjesë e festivalit vjetor të PhotoEspañna-s. Ekspozita eksploron fuqinë e imazhit të printuar në libra, revista, gazeta, posterë etj. “Të gjashtëdhjetat” merret me botimet që mbartin imazhe të çdo gjëje, që nga bitëlmania e deri te revolucioni seksual, lufta për të drejtat civile dhe njeriu i parë në Hënë. Fotografitë e përzgjedhura nga ditorja “The Guardian”, Telegrafi i sjellë si më poshtë.

“Çështja e ngjyrave”, posteri i dokumentarit që flet për luftën për barazi racore në ShBA, 1965: Fotografia dhe kultura masive ose pop-kultura, u rritën në mënyrë dramatike gjatë viteve ’60 të shekullit të kaluar. Globalisht, lajmet u përhapën në foto të printuara: që nga luftërat koloniale, revoltat kundër ndarjes racore dhe lufta për të drejtat civile, e deri te vrasjet e emrave si John F Kennedy, Martin Luther King dhe Che Guevara. (Foto: Danny Lyon)

Albumi “We’re Only In It For The Money”, grupi The Mothers of Invention, ShBA, 1967: Vitet 1960 u konsideruan si epokë e artë e pop-muzikës, me albume me kopertina fotografike, me fytyrat e yjeve të muzikës dhe të idhujve të tjerë të njohur që dominonin artin e posterëve, të cilët gjetën rrugën e tyre për në shtëpi – duke e ruajtur praninë në rrugë. (Foto: Verve USA)

Revista “Magnum”: Revista për jetën moderne, Këln, 1965: Revista “Magnum” ishte përmbledhje e imazheve gjermane/austriake dhe e komenteve mbi dizajnin modern, artin, arkitekturën, modën dhe stilin e jetës. (Foto: Magnum)

“Principatat dhe fuqitë” – Carlos Monsivais, Meksikë, 1969: Carlos Monsiváis ishte shkrimtar dhe aktivist politik meksikan, i cili dokumentoi betejat bashkëkohore të klasave dhe ndryshimet shoqërore. “Principatat dhe fuqitë” u ilustruan me imazhe të shumta të ikonave të viteve 1960, përfshirë emrat si John Lennon, Eldridge Cleaver, Jim Morrison dhe Che Guevara. (Foto: Héctor García México)

“Indeksi” i Andy Warholit, Nju-Jork, 1967: Artistët gjithashtu e përqafuan fotografinë. Praktikues ishin edhe Andy Warhol dhe Gerhard Richter (në atë që njihej si realizëm kapitalist). (Foto: Random House)

Caetano Veloso LP, Brazil, 1968: Albumi debutues e Caetano Velosos. Veloso, me bashkëpunëtorin Gilberto Gil, do të ndihmojë në themelimin e lëvizjes tropikalia që tronditi skenën muzikore braziliane në vitet 1960, gjë që shkaktoi zemërimin e sundimtarëve të atëhershëm ushtarakë në vend. (Foto: David Drew Zingg)

“Nada Personal”, Richard Avedon dhe James Baldwin, Barcelonë, 1964: Botimi në spanjisht i veprës së fotografit Rcihard Avedon, “Asgjë personale”. Gjatë viteve 1960, botuesit dolën në treg me libra të panumërt me foto, mes tyre me kryeveprat e autorëve si Richard Avedon, Eikoh Hosoe, Kikuji Kawada, William Klein, Irving Penn, Shomei Tomatsu dhe Ed van der Elsken. (Foto: Richard Avedon)

Revista “OZ”, Londër, 1967: Vitet ‘60 ishin padyshim periudha e fundit optimiste e shekullit XX, një kohë kur ishte ende e mundur të ëndërroje utopitë që botimet fotografike mund t’i rrëfenin, t’i përshkruanin ose satirizonin. (Foto: Robert Whitaker)

Revista “Sunday Times”, Londër, 1969: “Një fotograf i Pragës”: Dekada dëshmoi rritjen e revistave, propagandës dhe reklamave. Foto-esetë ishin bestsellerë të aftë për ta formuar opinionin publik për një gamë të gjerë çështjesh. Politika luhej në revista dhe në posterë; dhe gjithçka është shoqëruar me foto. (Fotografia: Josef Koudelka)

“Koka e kukullës”, Luis Acosta Moro, Barcelonë, 1968: Moro ishte shkrimtar, ilustrator dhe fotograf spanjoll vepra e të cilit “Koka e kukullës” është censuruar dhe ndaluar nga policia e pushtetit fashist të Francisco Francos. (Foto: Biblioteca Nacional Madrid/Luis Acosta Moro)

“Realidade”, Sao Paulo, 1967: Në vitin 1964, fotografja zvicerane Claudia Andujar, iu bashkua ekipit të “Realidade”-s, një revistë kjo për reportazhe që paraqiti një qasje të re ndaj fotozhurnalizmit në Brazil. Për pesë vjetët e ardhshme punoi në këtë revistë, duke prodhuar foto-ese mbi një gamë të gjerë temash, përfshirë atë të majit 1967, për varësinë nga droga. (Foto: Claudia Andujar)

“Shashin Eizo/Foto Image 8”: Numri i tetë i të përmuajshmes “Shashin Eizo/Photo Image”, një botim novator japonez që anketon zhvillimet në fotografinë bashkëkohore avangarde, shfaqi veprat e artistëve Tsunehisa Kimura, Duane Mickals, Shomei Tomatsu dhe Tadanori Yokoo. (Foto: Shashin Eizo)

/Telegrafi/

 

 

 

 

Exit mobile version