Ne të gjithë shihnim ëndrra. Ëndrra për liri! I madh e i vogël shihnim ëndrra, burra e gra, pleq e të rinj ëndërronim lirinë. Pas një nate të gjatë, të zezë katran e plotë sakrifica, erdhi mëngjesi. Dita e parë ishte një dehje e mbushur me gëzim, thirrje e këngë, këngë, këngë, sepse vetëm kënga e përjetëson lirinë. Po atë ditë e përkujtuam babanë e kombit, Naimin, që kishte thënë: Kur bota është zënë, Shqipëria (Dardania) gjallë ka qenë.
Po çfarë ndodhi tutje? Të nesërmen, ditë e hënë, në vend se të shihnim ëndrra të reja, harruam gjithçka. E hoqëm qafe një armik dhe ende pa u tharë gjaku sajuam një armik të brendshëm, imagjinar. Lufta me këtë ”armik” shkaktoi dhembje, plagë që nganjëherë dukeshin të pashërueshme. U gëzuan vetëm armiqtë e moçëm. “Këta injorantë, s’e meritojnë lirinë, le të prehen e le të grihen mes veti! E shihni e (ua) bënë shtetin e s’dinë ç’të bëjnë me të”.
Pas këndelljes, të frikësuar duke folur përçartë, kuptuam rrezikun që na ishte kanosur nga përfytja. Historia do ta dëshmojë se dikush ka më shumë “merita” për këtë. Kuptuam gjithashtu se jo vetëm që kishim stagnuar duke u marrë me vetveten, po gjërat kishin lëvizur prapa, shumë prapa, pa mundësi riparimi të shpejtë. Hetuam gjithashtu se kishte lulëzuar krimi, korrupsioni, trafikimi, nepotizmi…
Në fillim nuk i kuptonim mire këto terme, ose më mirë s’donim t’i kuptonim, por tani është e domosdoshme të shohim ëndrra të reja. Intelektualët e mirëfilltë e kanë për detyrë të mbrojnë sistemin e vlerave, t’i demaskojnë këta njerëz të papërgjegjshëm, që s’e përfillin kodin. Ndryshe, të korruptuarit, kriminelët, trafikantët, kanë filluar të lavdërohen me veprat e tyre, madje duke vuajtur nga komplekset si gjithë maniakët, ata i nervozojnë njerëzit e ndershëm. Këto dukuri negative nuk mund të zgjasin tërë jetën e jetës, sepse edhe njerëzit e ndershëm mund të konvertohen.
Mësuesi mund të vonohet disa minuta, nxënësi të ikë nga ora, studenti të kopjojë gjatë provimit, punëtori të neglizhojë. S’ka kohë, ndërhyrja duhet të jetë imediate. Shoqërinë tonë e përfshiu një termet, pasojat e të cilit duhet riparuar sa më shpjet. Ne s’mund t’i përkëdhelim, as t’i ledhatojmë kriminelët. Këta “patriotë” me syze të ngjyrosura, mënxyra të shëmtuara do të pendohen në njërën prej ditëve të ardhshme.
Intelektualët e mirëfilltë duhet të veprojnë sa më parë, ndryshe situatën në dorë mund ta marrin guximtarët e çmendur, që nuk mungojnë në këso rastesh dhe atëherë do bëhet vonë, sepse spekulantët do të thonë: “Nënë pse na bëre”!