Qeveria Thaçi, ndër qeveritë më të suksesshme të pasluftës, po hyn në vitin e saj të 10-të. Deri më sot (viti 2017) Kosovën e kanë njohur 188 shtete. Kemi arritur pothuajse integrim të plotë të shtetit të Kosovës në mekanizmat më të mëdhenj ndërkombëtarë. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është nënshkruar vite më parë. Liberalizimi i vizave është punë e kryer tash e pesë vjet. Parlamenti i Kosovës është bërë shembull i një legjislacioni të mirë, profesional dhe korrekt (80 për qind e deputetëve kanë heqë dorë nga pagesa mujore). Presidentja e shtetit është zgjedhur për një mandat tjetër (i dyti me radhë), por tashti nga zgjedhjet e drejtpërdrejta nga populli (jo nga zarfi). Koalicioni PDK-AAK-AKR dhe minoritetet pothuajse nuk has në asnjë vështirësi për shumë vjet dhe funksionon për mrekulli. Janë reduktuar dukshëm shpenzimet qeveritare dhe institucionale.
Veturat zyrtare përdoren vetëm në raste të veçanta, drekat dhe darkat zyrtare bëhen vetëm në raste kur ka vizita të politikanëve nga jashtë. FSK-ja është bërë ushtri kaherë dhe është dislokuar pothuajse në çdo cep të vendit, përfshirë edhe Mitrovicën e Veriut. Komunitetet tjera joshqiptare, e sidomos serbët, janë integruar plotësisht në jetën institucionale të Kosovës dhe i qëndrojnë besnikë shtetit kosovar.
Arsimimi i mirë dhe profesional ka bërë që në raport me popullsinë të kemi më shumë doktorë shkencash sesa kudo tjetër në botë. Universiteti Publik i Prishtinës ka hyrë në mesin e 30 Universiteteve më të mira në botë (krahasuar me gjashtë vite më parë kur mbante vendin e 4322-të).
Stabiliteti ekonomiko-financiar si dhe politik është i qëndrueshëm. Mirëqenia sociale është përmirësuar dukshëm (e kemi tejkaluar Greqinë, Portugalinë dhe Spanjën). Papunësia është në nivel rekord të uljes me vetëm 6 për qind të papunë. Kosova po bëhet çdo ditë e më tepër vend i të mirave materiale dhe begatisë, vend i mrekullive dhe mundësive. Investitorët e jashtëm e kanë vërshuar Kosovën dhe po investojnë miliona nëpër të gjithë sektorët ekonomikë. Dallimi eksport-import është 92 për qind me 8 për qind në të mirë të eksportit.
Sistemi bankar është shembull në rajon me mikro dhe makro kredi me vetëm 2 për qind të interesit bankar. Fjalët si keqqeverisje, korrupsion, krim dhe nepotizëm gati sa janë hequr plotësisht nga fjalori i përditshëm. Çmimet e konsumit janë të ulëta dhe të paluhatshme. Përfaqësuesja e Kosovës në futboll po luan ndeshje ndërkombëtare pa kushte dhe pa ndonjë fusnotë të etiketuar.
Në vitin 2022 Lojërat Olimpike Verore do të mbahen bashkërisht në Kosovë dhe Shqipëri (meritë kjo e pamohueshme e Memlit me shokë). Shumica e mërgimtarëve janë kthyer në Kosovë si rezultat i kushteve më të mira për jetesë. Protestat, demonstratat apo grevat ka kohë qe nuk janë parë e dëgjuar. Energjia elektrike nuk reduktohet asnjëherë si rezultat i ndërtimit të Hidrocentralit të ri në Sibovc.
Ujë ka me bollëk, bërlloku shihet vetëm në rastet kur luhet ndonjë skenë filmi apo teatri në qytet. Nuk ka ndarje në baza etnike, nuk ka asociacione komunash paralele dhe nuk ka territore me statuse të veçanta. Serbia dhe Kosova kanë hapur ambasada respektive si dhe kanë shkëmbyer përfaqësuesit diplomatikë.
Ashton, Thaçi dhe Daçiqi kanë marrë çmimin Nobel për Paqe kurse Ministrja e Integrimeve Evropiane ka marrë çmimin Oscar si aktorja më e mirë në rolin dytësor në filmin më të ri kriminalistik të Halil Budakovës (po ashtu i shpërblyer me pesë çmime Oscar). Shteti i Kosovës ka vënë viza ndaj shumë vendeve jo-evropiane për të pamundësuar hyrjen e mijëra shtetasve të huaj të cilët kërkojnë azil në vendin tonë…
…dhe teksa po i shijoja me ëndje këto fjali të bukura, papritmas dikush me zgjoi nga gjumi dhe kuptova se isha duke parë ëndërr, një ëndërr ku një tellall qeverie raportonte progresin dhe të arriturat vjetore.
Sa ironike, po aq edhe tragjikomike!!!