Për ndërtimin e tunelit më të gjatë në botë nënujor për trena, që do të lidh qytetet kryesore të Finlandës dhe Estonisë, janë mbledhur hiq më pak se 15 miliardë euro.
Një e treta e fondeve do të realizohet përmes investimeve kapitale private dhe dy të tretat në formë të huave, sipas një memorandumi të mirëkuptimit të nënshkruar, transmeton Telegrafi.
Sipas sipërmarrësit finlandez Peter Vesterbacka, tuneli i planifikuar të ndërtohet midis Helsinkit dhe Talinës do të jetë 100 kilometra i gjatë, kurse të paktën një ishull artificial do të ndërtohet me qëllim të realizimit të këtij projekti
Qeveria e Finlandës dhe ajo e Estonisë kanë premtuar se do të përpiqen që një shumë të parave ta marrin nga Bashkimi Evropian, gjë që do të zvogëlonte pjesën e investimeve të nevojshme private.
Por, edhe pse ndërtimi i tunelit ende nuk ka filluar, biletat për udhëtim kanë filluar të shiten që nga dhjetori i vitit të kaluar. Bileta njëdrejtimëshe do të kushtojë 50 euro, derisa bileta vjetore do të shitet për njëmijë euro. Sipas ekspertëve, ndërtimi i tij do të duhej të fillonte në vitin 2024. /Telegrafi/