Telegrafi

Ende nuk ka diçka konkrete për digën e premtuar në Tetovë për të parandaluar vërshimet (Video)

Edhe pse kanë kaluar tanimë tre vite nga vërshimet që ndodhën në Poroj dhe Shipkovicë, ndërsa Qeveria premtoi ndarjen e fondeve për ndërhyrje, sidomos në rrjedhën e lumit të fshatit Gjermë që është edhe shkaktari kryesor i vërshimeve, akoma nuk ka asgjë konkrete. Gjithçka është në fazë bisedimesh dhe projektimesh, ndërsa nuk ka të caktuar planin konkret të veprimit në shtratin e lumit të Gjermës.

Zëvendës kryeministri Koço Angjushev, i pyetur për problemin në fjalë është shprehur se, fonde konkrete nuk ka ende të ndara, por paratë do të parashihen në buxhet, në rast se do ketë rishikim të buxhetit. Angjushev nuk shpjegoi se përse deri më tani nuk janë ndarë fonde në buxhetin e shtetit për sanimin e lumit të Gjermës dhe ngritjen e digave për mbrojtje nga vërshimet.

“Gjithë këtë e kemi parasysh dhe do e parashohim në buxhet, sidomos në rebalancimin e buxhetit, nëse do ketë këtë vit ribuxhetim apo ndoshta vitin e ardhshëm që të shohim se si maksimalisht t`i ndihmojmë komunat që të fitojnë fonde që të mund ta sanojnë atë. Konkretisht problemin e Porojit dhe Gjermës e di edhe personalisht. Ekziston një studim edhe më herët që është bë por ka pasur edhe një lloj sistemi mbrojtës që me kalimin e kohës është shkatërruar siç janë digat e tjera. Atje problemi është serioz dhe vet emri përrua e tregon këtë pra mendoj se punët ecim mbarë dhe do sigurohen mjete për zgjidhjen e problemit”, deklaroi Koço Angjushev, zv.Kryeministër./Alsat-M/

*Foto Ilustrim