Arda Guler iu bashkua me shumë bujë Real Madridit në afatin kalimtar veror nga Fenerbahce.
Ishte një luftë e madhe mes Real Madridit dhe Barcelonës për t’i siguruar shërbimet e futbollistit turk, por në fund kryeqytetasit spanjoll ishin ata që fituan garën.
Megjithatë talenti i madh turk ka pësuar disa lëndime të njëpasnjëshme dhe ende nuk ka debutuar me madrilenët.
18-vjeçari së fundmi ka pësuar një tjetër lëndim që do ta mbajë jashtë fushave për një muaj dhe këtë e ka konfirmuar edhe trajneri Carlo Ancelotti.
Pasi ka harruar dhimbjen me meniskun e tij, dëshira e madhe për t’u rikthyer dhe për t’u prezantuar para tifozëve të Realit i ka kushtuar më shtrenjtë turkut, i cili ka humbur dhe takimet e Turqisë kundër Gjermanisë dhe Uellsit.
Guler pritet t’i mungojë madrilenëve në sfidat ndaj Cadiz, Granadas e Betisit në La Liga, derisa do t’i humbas edhe ndeshjet me Napolin dhe Union Berlinin në Ligën e Kampionëve.
Rikthimi i turkut pritet të bëhet më 17 dhjetor në Santiago Bernabeu ndaj Villarrealit. /Telegrafi/