Shumë tym rreth të ardhmes së klubit të madh kosovar, Besa nga Peja, por ende asgjë zyrtare.
Sezoni i fundit në Superligën e Kosovës në futboll ishte i ‘zi’ për futbollin pejan dhe atë kosovar në përgjithësi.
Kjo pasi klubi me nam të madh, Besa e Pejës, ka humbur statusin e ekipit elitar, duke rënë nga kategoria për herë të parë në histori.
Vetëm disa ditë pas përfundimit të sezonit u përfol shumë në media rreth një ri-formatimi të klubit, për të kaluar nga drejtuesit komunal në ata privatë.
Në media u përfol shumë rreth blerjes së klubit nga korporata e njohur ‘Dukagjini’, e cila nën pronësi ka Radiotelevizionin, kompaninë e sigurimeve, shtypshkronjën, por edhe disa kompani tjera.
Mediat gjithashtu raportuan se pronarët e rinj të klubit pejan kanë arritur marrëveshje edhe me trajnerin e njohur Ismet Munishi, për ta udhëhequr klubin në sezonin e ri.
Megjithatë, sipas burimeve të brendshme të Telegrafit ende nuk ka asnjë zyrtare rreth marrjes në pronësi të Besës së Pejës nga korporata Dukagjini.
Burimet tona mësojnë se palët janë takuar dhe kanë diskutuar rreth marrëveshjes, por ende nuk asgjë zyrtare momentalisht dhe duhet të presim vetëm disa ditë për të kuptuar plotësisht nëse marrëveshja do të jetësohet.
Por, një gjë është e sigurt, nëse ‘Dukagjini’ merr nën pronësi Besën e Pejës, rikthimi në Superligë nuk do të jetë fare temë, ndërsa fituesit më të madh do të ishin sportdashësit pejan, por edhe gjithë kosovarët. /Telegrafi/