Telegrafi

Ende mister vdekja e katër rusëve në Shqipëri, celularët dërgohen për ekspertizë në Izrael

Pas kthimit të disa përgjigjeve negative nga ana e Institutit të Shëndetit Publik dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, Prokuroria ka menduar të bëjë një eksperiment hetimor për të zbardhur misterin e vdekjes së katër turistëve rusë në një resort në Qerret.

Sipas A2 CNN, prokurorët, në bashkëpunim me ekspertët e shëndetit publik do të rikrijojnë të njëjtën situatë që ishte në resort më 15 tetor, duke hedhur sërish klor në pishinën e brendshme të hotelit. Pas kësaj do të merret sërish një provë ajri dhe uji të pishinës, për të konfirmuar apo hequr, të gjitha dyshimet në lidhje me vdekjen e katër turistëve rusë.

Kur kanë kaluar gati 2 javë nga vdekja tragjike e tyre, ende nuk kemi përgjigje për shkaqet e vdekjes. Nga ana tjetër, ushqimet që ata kanë përdorur nuk janë ekzaminuar, pasi ISUV tha se marrja e mostrave të ujit nuk ishte bërë sipas procedurës.

Ndërkohë, në Institutin e Policisë Shkencore janë dërguar dy celularë të fikur, të cilët nuk janë hapur dot dhe do të dërgohen drejt Izraelit për të parë komunikimet e fundit që kanë pasur turistët.

Sergey Burenkov, 60 vjeç së bashku me bashkëshorten Natalya Burenkova, 58 vjeç ishin me pushime në Shqipëri, së bashku me vajzën e tyre Katia, 31 vjeç dhe partnerin e saj Nikita Belousov, kur u gjetën të “asfiksuar” në sauna më 15 tetor. Ata u shuan disa minuta njëri pas tjetrit pasi ishin kthyer në hotel nga një udhëtim. Një re e madhe misteri ka përfshirë vdekjen e tyre dhe prokuroria e Kavajës e ka regjistruar çështjen penale për vrasje.

Trupat e tyre janë tërhequr disa ditë më parë nga zyrtarë rusë. Ambasada ruse në Tiranë tha se edhe atje mund të kryhet një ekspertizë mjeko-ligjore shtesë, por nuk ka publikuar më informacion nëse kjo është realizuar apo jo.