Telegrafi

Ende kemi hekurishte dhe skrap për të eksportuar

“Kategoria e metaleve bazë dhe ato të ngjashme mbetet kategoria kryesore e eksporteve në Kosovë, duke përberë 45.7% të eksporteve të tërësishme. Eksportet e kësaj kategorie kanë arritur vlerën prej 67.0 milionë euro në vitin 2007, kundrejt 53.1 milionë euro në vitin 2006”,- thuhet në raportin vjetor të Bankës Qendrore të Kosovës.

Më tutje sipas saj, produktet minerale  përbejnë kategorinë e dytë më të madhe, e cila në vitin 2007 është llogaritur për 15.4% të eksporteve të tërësishme apo 22.6 milionë euro në vitin 2007 në krahasim me 18.8 milionë euro në vitin 2006.

Ndërsa kategoria e tretë më e madhe brenda strukturës së eksporteve të Kosovës ishin makineritë, veglat, pajisjet elektrike etj., të cilat arritën vlerën prej 19.2 milionë euro në vitin 2007 në krahasim me 7.7 milionë euro në vitin 2006.

Për sa i përket importeve, produktet minerale mbeten kategoria më e importuar në tregtinë e Kosovës në vitin 2007, duke përberë 20.2% të importeve të tërësishme.

Vlera e tërësishme e importeve të kësaj kategorie arriti vlerën prej 317.6 milionë euro në vitin 2007, në krahasim me 241.7 milionë euro në vitin 2006.

“Duke përbërë 81.6% të importeve të tërësishme të produkteve minerale, importi i vajrave dhe i karburanteve ka mbështetur kryesisht nivelin e lartë të importeve të kësaj kategorie në vitin 2007. Importi i artikujve ushqimorë të përgatitur, pije dhe duhan, arritën vlerën prej 222.7 milionë euro në vitin 2007, nga 180.6 milionë euro në vitin 2006, duke e renditur këtë kategori si kategorinë e dytë më të madhe për sa u përket importeve (14.1% të importeve të tërësishme të Kosovës”,theksohet në raportin e BQK-së.

Më pas e zënë vendin makineritë, veglat, pajisjet elektrike e tët jera si këto, që arritën vlerën 196.6 milionë euro në vitin 2007, përkundër 153.3 milionë euro në vitin 2006 dhe janë llogaritur si  12.5% të importeve të tërësishme. /Telegrafi/