Site icon Telegrafi

“Endacaku vrasës”, filmohet momenti kur autori vendos tritolin në shtëpinë e Ilir Koçiles

Një sasi e konsiderueshme tritoli është vendosur në banesën në pronësi të Ilir Koçiles, 35-vjeçarit që dy javë më parë vrau me thikë fqinjin e tij. 

Dëmet e konsiderueshme materiale duken qartë në shtëpinë njëkatëshe, në lagjen nr.4 të Durrësit dhe automjetet e parkuara e banesat përreth.

Veç dëmeve materiale, nga shpërthimi nuk u regjistruan të lënduar, sepse familjarët e Koçiles ndodhen jashtë vendit, ndërsa 35-vjeçari në paraburgim, i akuzuar për vrasjen e Halil Kokës, më 14 shkurt.

Një lidhje e mundshme është vendosur mes dy ngjarjeve, si paralajmërim për hakmarrje, pasi në fasadën e shtëpisë dikush ka shkruar me bojë “Endacaku vrasës”.

Lexo po ashtu Dikur ishin shokë burgu, por e vrau për një vend parkimi - arrestohet autori në Durrës

Kamerat e sigurisë kanë fiksuar personin, që ka vendosur lëndën plasëse në banesë dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e tij.

Dy fqinjët u konfliktuan në lagjen ku banonin për një vend parkimi, ndërsa sherri degjeneroi deri në konfrontim fizik.

35-vjeçari Koçilja goditi me thikë Kokën, i cili disa minuta më vonë humbi jetën rrugës për në spital.

Koçilja u arrestua disa orë më vonë nga efektivët e policisë së Durrësit, ndërsa ishte fshehur pranë Forumit Bizantin.

Dyshohet se 35-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe jetonte i vetëm në shtëpinë e tij. /EuronewsAlbania/

Exit mobile version