Telegrafi

Emri i Prendit, lapsusi në urdhër-arrestet për gardistët

Dy ditë më parë, kryeministri Sali Berisha, duke përmendur një bisedë telefonike mes prokurores së Përgjithshme dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, tha se përgjigja e Burgajt për mosekzekutimin e urdhër-ndalimeve kanë qenë lapsuset në formulimin e tyre.

Burime të prokurorisë i thanë Mapo-s se lapsuset në disa nga urdhrat e ndalimit nuk cenojnë thelbin e tyre dhe nuk lënë shkas për mosekzekutimin. Burimet thanë se urdhri i parë i ndalimit, i përpiluar pas analizimit të provave, fakteve dhe të dhënave të mbledhura gjatë hetimeve të para, është lëshuar për komandantin e Gardës, Ndrea Prendi.

Kjo përmbajtje është përdorur më pas edhe për përpilimin e 5 urdhrave të tjerë të ndalimit. Por për shkak të pakujdesisë, në disa prej urdhrave, përveç emrave të personave, që sipas prokurorisë duhet të ndalohen për akuzën e vrasjes dhe tejkalimit të kompetencave, gabimisht ka mbetur edhe emri i komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi.

Burimet thonë se ky lapsus nuk pengon aspak policinë të zbatojë detyrën e ngarkuar me ligj për ekzekutimin e urdhër-ndalimeve të firmosura nga prokurori. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, kur kanë kaluar më shumë se 60 orë nga lëshimi i urdhër-ndalimeve, ato mbeten ende të paekzekutuara. /Telegrafi/