Site icon Telegrafi

Emrat e përveçëm në origjinal dhe në përkthim

Ilustrim

Nga: Avni Xhelili

Letërsia ruse në vendin tonë ka mbi 100 vjet që përkthehet e ripërkthehet dhe pjesa dërrmuese e veprave të përkthyera i ka qëndruar kohës. Përkthyesit tanë kanë meritën e madhe se mundën të sjellin në truallin gjuhësor të shqipes veprat më të arrira të letërsisë ruse, të cilat mbartin vlerat mbarënjerëzore. Prej punës së tyre vetëmohuese përfituan proceset letrare në vendin tonë, por, më kryesorja, përfitoi lexuesi ynë, të cilit i ranë në dorë vepra elitare të një bote letrare të panjohur për të. Nga përkthimet e kësaj letërsie është përfituar një përvojë e mirë, e cila duhet pasuruar e përsosur.

Shkrimi i sotëm është një përpjekje për të përgjithësuar përvojën e përkthyesve tanë lidhur me transmentimin në shqip të emrave të përveçëm, të cilët janë një komponent i rëndësishëm funksional në strukturën e tekstit letrar. Ata marrin pjesë në ndërtimin dhe zhvillimin e kompozimit letrar dhe ligjërimor të tekstit, ndihmojnë në zbërthimin e ideve artistike të autorit. Në kontekstin e përkthimit artistik transmetimi i emrave të përveçëm në një gjuhë dhe kulturë të re përbën një problem përkthimor serioz; çdo njësi antroponimike dhe toponimike kërkon qasje të veçantë nga përkthyesi.

Në letërsinë artistike përdoren të gjitha llojet e antroponimeve dhe toponimeve: emra/mbiemra njerëzish të zakonshëm, pseudonime, nofka; emërtime të objekteve gjeografike: emra kontinentesh, vendesh, vendbanimesh, oqeanesh, detesh, liqenesh, malesh etj. Në një vepër letrare përdoren gjithashtu dhe emra/mbiemra të krijuar nga vetë autori sipas modeleve ekzistuese të gjuhës, të cilët, veç funksionit emërtues, thonë diçka më shumë për personazhin dhe funksionin e tij në vepër, theksojnë tipare a cilësi të karakterit të tij. Letërsia ruse është e pasur me mbiemra të tillë, mjafton të përmendim personazhet nga tregimi i Çehovit “Kameleoni”: Oçumelov, Hrjukin, Eldirin; nga poema “Frymë të vdekura” e Gogolit: Sobakieviç, Koroboçka, Manillov; nga romani “Krim dhe Ndëshkim” i Dostojevskit: Raskolnikov, Marmeladov, Razumihin.

Si klasë e veçantë fjalësh, antroponimet dhe toponimet janë pjesë e historisë dhe e kulturës së popujve. Ato pasqyrojnë periudha të tëra historike, kontaktet midis popujve, mënyrën e jetesës së njerëzve, besimet, aspiratat a fantazitë e tyre. Nga emri/mbiemri i personazhit lexuesi mund të njihet me identitetin e tij etnik, kulturor e fetar, me përkatësinë historike të emrit (cilës periudhe historike i përket), me kuptimin metaforik dhe simbolikën që përfaqëson në tekstin letrar.

Si objekt i huazimit ndërgjuhësor dhe ndërkulturor, transmetimi në përkthim i emrave dhe emërtimeve  është problem kompleks dhe i vështirë, jo rrallë i lidhur me zgjidhje përkthimore të diskutueshme ose të qortueshme. Detyra e përkthyesit bëhet edhe më e vështirë, kur përkthimi me shkrim realizohet nga gjuhë me sisteme alfabetike të ndryshme nga shqipja, siç është rasti i rusishtes ose i gjuhëve të tjera sllave që përdorin alfabetin cirilik. Nuk mund të lihen jashtë vëmendjes edhe veçantitë e sistemeve antroponimike në gjuhë të ndryshme si dhe traditat e kombeve në vendosjen e emrave, p.sh., sistemi antroponimik i shqipes përbëhet nga dy komponentë (emri+mbiemri), i cili ngjason me shumicën dërrmuese të vendeve europiane. Ndryshe nga kjo traditë, sistemi antroponimik i gjuhës ruse përbëhet nga tre komponentë: emri+atësia+mbiemri(Ivan Pavlloviç Panfillov), rendi i të cilëve mund të ndryshojë. Në dokumentet zyrtare në fillim shkruhet mbiemri, pas tij emri dhe në fund atësia: Panfillov Ivan Pavlloviç. Në praktikën e përditshme mund të përdoren vetëm emri dhe atësia (Ivan Pavlloviç) ose emri dhe mbiemri (Ivan Panfillov).

Një pjesë e antroponimeve të kësaj gjuhe janë me burim nga sllavishtja e vjetër ose nga gjuhët skandinave (Tretjakov, Menshov, Jarosllav, Vsevollod, Vlladimir, Tihomir, Igor, Olga), por shumica e antroponimisë ruse i përket sistemit grek të emrave, të cilët depërtuan në Rusi nga fundi i shek. X së bashku me krishtërimin dhe ritin e pagëzimit (Ivan, Aleksei, Vasili, Andrei, Sofia, Aleksandri, Llarisa). Krahas emrave të mirëfilltë grekë në gjuhën ruse depërtuan edhe emra me burim latin, hebraik si dhe nga ndonjë gjuhë tjetër (Viktor, Vitali, Jakovi, Mihaili). Sot gjejmë edhe huazime nga gjuhët perëndimore, si Eduard, Artur, Marta, Albert, Leonard, por ato nuk kanë përhapje të gjerë edhe për shkak të pamundësisë së formimit prej tyre të atësisë me prapashtesat ruse –oviç/-jeviç/ -içp.sh. nga emra të tillë, si  Bill, Fransua, Serxhio etjështë vështirë të formohet komponenti i atësisë.

Si rregull, emrat e përveçëm nuk përkthehen, prandaj në literaturën përkthimore bëhet fjalë për transmetim të njësive antrponimike dhe toponimike dhe jo për përkthim të tyre. Transmetimi bëhet kryesisht nëpërmjet transliterimit dhe transkriptimit. Teknika e transliterimit riprodhon germë pas germe emrat e përveçëm të origjinalit me germat e alfabetit të gjuhës shqipe, ndërsa transkriptimi mbështetet në riprodhimin fonetik sa më afër fjalës së huaj. Këto dy mëmyra nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, sidomos kur përkthejmë nga gjuhë me sisteme të ndryshme grafike. Në këto raste transkriptimi dhe transliterimi kryqëzohen, shpërfaqin një lloj simbioze. Po sjellim si shembull mbiemrin Зoлoтарëв. Nëse do t’i qëndronim besnik shqiptimit të fjalës (veshjes tingullore), do të duhej ta transkriptonim në shqip si Zallatarjof, por kjo nuk ndodh kështu, sepse emri i transkriptuar do të largohej shumë  nga forma e tij shkrimore. Teknika e transkriptimit duhet të mbajë parasysh jo vetëm shqiptimin e fjalës, por edhe formën shkrimore të saj. Për këtë arsye varaianti shkrimor i mbiemrit të mësipërm, siç është bërë traditë në përkthimet shqip, do të jetë Zollotarjov, ku mbizotëron teknika e transliterimit; i vetmi transkriptim në këtë njësi antroponimike është germa ë (jo) e rusishtes që shqipes i mungon. Në këto raste kemi të bëjmë me transkriptime a transliterime jo të pastra. Transkriptimi sot shihet si mënyra kryesore e transmetimit të antroponimeve dhe toponimeve, megjithatë kjo teknikë nuk transmeton plotësisht shqiptimin origjinal.

Përzgjedhja e njërës apo tjetrës teknikë është me shumë rëndësi për të pasur një transmetim korrekt të emrave të përveçëm, por kjo është e pamjaftueshme, nëse përkthyesi nuk mban parasysh veçoritë historike, stilistike dhe kulturore të sistemit antroponimik, nëse nuk zotëron mirë kulturën, traditat dhe historinë e dy vendeve.

Është e njohur se gabimet dhe humbjet në përkthim janë të pashmangshme, por detyra e përkthyesit, e redaktorit dhe e botuesit është t’i minimizojë ato në maksimum. Pasaktësitë në përkthim janë të llojllojshme, por në këtë shkrim do të ndalemi në disa gabime a shkelje të normave gjuhësore që lidhen me transmetimin e emrave të përveçëm nga gjuha ruse. Për këtë qëllim kemi vëzhguar përcjelljen e tyre në më shumë se 20 vepra të përkthyera në shqip nga përkthyes të ndryshëm. Objekt i vëzhgimit u bë gjithashtu gjurmimi i traditës së krijuar në kalimin e emrave të përveçëm nga rusishtja në shqip dhe hetimi i prirjeve të përkthyesve për të përdorur njërën a tjetrën teknikë përkthimore. Shkrimi në fjalë synon jo vetëm të rendisë disa zgjidhje përkthimore të gabuara, por në radhë të parë të ofrojë sugjerime a qasje përkthimore më të qëndrueshme, të cilat mund të ndihmojnë në mënjanimin ose minimizimin e gabimeve dhe pasaktësive të vërejtura, pse jo edhe në formulimin hap pas hapi të disa rregullave a parimeve, të cilat mund të çonin në njëfarë standartizimi në transmetimin e emrave të përveçëm.

Edhe pse përkthimi i letërsisë ka filluar në vitet e para të shekullit të kaluar, nga vëzhgimi u vu re se shkrimi i emrave të përveçëm të rusishtes ka mbetur i rrëmujshëm, i hallakatur. Ja disa grupe pasaktësish e gabimesh, të nxjerra nga përkthime e përkthyes të ndryshëm:

1. Prania e dy ose më shumë varianteve përkthimore për të njëjtin antroponim ose toponim tek i njëjti përkthyes në të njëjtën vepër ose te përkthyes të ndryshëm: Дмитр–  Dmitër, Dimitër dhe Dhimitër, Евгений – Jevgen, Evgen, Eugen dhe Eugjen, Егор – Jegor dhe Egor, Надежда – Nadezhda dhe Nadjezhda, Ефимов – Jefimov dhe Efimov, Катья – Katia dhe Katja, Пëтр – Pjotr dhe Pjotër, Алексей – Aleksej dhe Aleksei, Толстой – Tolstoj dhe Tolstoi.

MbiemriЕмельяновipërmendur 8 herë vetëm në dy faqe të tregimit të A. Tolstoit “Nepërka”, është shkruar korrekt vetëm 3 herë(Emeljanov), ndërsa5 herët e tjera gabim (Emiljanov)Të dyvariantet kanë origjinë të përbashkët (Емельянов  vjen nga emri kishtar Емилиан), por juridikisht janë mbiemra të ndryshëm. Nëse në një tekst juridik, fjala vjen, një dokument noterial trashëgimie, ku mbiemri Emeljanov do të ishte shkruar edhe në formën Emiljanov, dokumenti do të ishte i pavlefshëm, sepse secili variant do të merrej si individ më vete. Paraqitjen e emrit/mbiemrit në dy a më shumë variante unë do ta quaja pakujdesi e mungesë serioziteti të përkthyesit, të cilat në përkthim janë të palejueshme.

Të njëjtën situatë kemi edhe transmetimin e disa njësive toponimike. Toponimi rus Заборье jepet në tri variante, asnjëri i saktë: Zabori-e, Zaboritje, Zaborije (për Zaborje). Po kështu emërtimetБелогорская (крепость) dhe Белогорский (монастырьdiku është transkriptuar  (kalaja) e Bjellogorskut ediku (manastiri) i Bellogorskit.

2. Shkelje e traditës përkthimore të ngulitur prej vitesh, sipas së cilës mbaresa ruse ий (-ij)tek emrat dhe mbiemrat e gjinisë mashkullore është zëvendësuar në shqip me –i:Юрий – Juri, Василий – Vasili, Маяковский – Majakovski, Бродский – Brodski.

3. Imitimi nga anglishtja ose nga gjuhë të tjera i transkriptimit të antroponimeve dhe toponimeve: Liudmilla për Ljudmilla/Ludmilla, Tatiana për Tatjana, Kolia për Kolja, Pliushkin për PljushkinViaçeslav për Vjaçesllav; Biellogorsk për Bjellogorsk, Briansk për Brjansk.

4. Në raste më të rralla haset humbja e mbaresës së gjinisë femërore ate mbiemrat: Tatiana Llosev për Tatjana Lloseva, Emilia Kabakov për Emilia KabakovaNjë pasaktësi e tillë, nëse nuk është gabim ortografik, është ndikim nga gjuhët perëndimore, ku mbiemri i gruas tingëllon ashtu si mbiemri i burrit. Po të respektohej një rregull i tillë, do të duhej që romani i Tolstoit të quhej Ana Karenin.

5. Precedenti i emrit të shkrimtarit të madh rus Лев Толстой(Lev Tolstoi), i përkthyer në italishte si Leone dhe i huazuar në shqip si Leon Tolstoi, ka shërbyer si shembull negativ imitimi.

Emrat e autorëve, si rregull, nuk përkthehen,porpërkthyesi italian, në të drejtën e tij, e ka parë të arsyeshme ta japë të përkthyer (Leone). Nëse edhe përkthyesi ynë ka dashuur të përdorë teknikën e përkthimit, në shqip do ishte Luan Tolstoi dhe jo Leon Tolstoi. I ngulitur gabimisht para 60-70 vitesh ky emër vazhdon të përdoret edhe sot, edhe pse në përkthimet ose ripërkthimet e veprave të Tolstoit ky gabim ka filluar të ndreqet, por precedentin e gjejmë të pësëritur. Në një nga tregimet e përmbledhjes Tregime & Novela të A. Çehovit emri i personazhit Lev (Trofimoviç)  është përkthyer si Leon (Trofimoviç).  Një transmetim i tillë në shqip është tërësisht i pajustifikuar; zoonimi лев i rusishtes përkthehet në shqip luan dhe jo leon. Madje përkthimi në shqip i emrit të personazhit ka qenë i panevojshëm, sepse Lev Trofimoviçi në tregim nuk është personazh kryesor dhe emri i tij nuk ngërthen kuptime a simbolika të tjera që ndihmojnë në zbërthimin e konceptit të autorit. Për lehtësuar leximin dhe kuptimin e veprës, përkthyesi mund ta përdorë edhe kalkimin e emrit ose të mbiemrit të origjinalit, por rasti i mësipërm është i pavend, aq më tepër që është përkthyer në një gjuhë tjetër.

Mendojmë se disa nga shkaqet që kanë çuar në pasaktësitë e mësipërme janë: vëmendja e pamjaftueshme e përkthyesit ndaj dallimeve që kanë sistemet grafike (alfabetike) të rusishtes dhe shqipes, prirja për të huazuar qorrazi transkriptime nga gjuhë të tjera duke shkelur normat e shqipes, zgjidhjet e nxituara pa u thelluar në veçoritë strukturore, semantike e funksionale të njësive antroponimike e toponimike të originalit. Në mjaft raste zgjidhjet i janë lënë intuitës së përkthyesit. Diku-diku gabimet e mësipërme flasin për mungesë profesionalizmi dhe mangësi në kulturën gjuhësore të përkthyesit. Sjellja e një vepre të huaj letrare në kulturën dhe gjuhën tënde është veprimtari krijuese, e cila, si çdo krijim, kërkon kohë e ritëm të shtruar pune.

Cilat do të ishin disa nga qasjet a sugjerimet që mund të çonin në formulimin e disa rregullave, të cilat do t’u vinin në ndihmë përkthyesve nga rusishtja?

1. Emrat dhe mbiemrat e gjinisë mashkullore që mbajojnë në fund me -ий (-ij) rekomandohet të shkruhen në shqip me dhe jo me–ij: Василий – Vasili,  Виталий -Vitali,  Анатолий – Anatoli,  Аркадий – Arkadi, Георгий – Georgi, Григорий – Grigori, Валерий – Valeri, Юрий – Juri; Достоевский – Dostojevski, Горький – GorkiОстровский – Ostrovski, Чуковский – Çukovski, Чайковский – Çajkovski, Паустовский – Paustovski, Вяземский – Vjazemski, Жуковский – Zhukovski,  Андреевский – Andrejevski.

Shkrimi emrave të mësipërm me –ij duhet mënjanuar, sepse, së pari,  j-ja e shqipes dëgjohet dobët; së dyti, prania e saj në format e tjera rasore vështirëson leximin e emrit: (biseda me) Vitalijn, (vepër e) Gorkijt.

2. Emrat mashkullorë me -й fundore, së cilës i paraprijnë zanoret a(-),o(), e (-) shkruhen me –iНиколай – Nikollai, Полевой – Polevoi, Толстой –Tolstoi, Матвей – Matvei, Андрей – Andrei, Сергей – Sergei, Корней – Kornei.

3. Emrat femërorë që mbarojnë  me -ияduhen shkruar shqip me –iaВалерия – Valeria, Лидия – Lidia, Мария – Maria, Ксения – Ksenia, Анастасия – Anastasia,  Галия – Galia, Наталия – Natalia.

4. Emrat femërorë që mbarojnë me ья ose –я shkruhen me –jaНаталья – Natalja, Прасковья – Praskovja, Марья – Marja, Анисья – Anisja, Софья – Sofja,Авдотья – Avdotja, Дарья – Darja, Настасья – Nastasja, Ася – Asja, Таня – Tanja, Юля – Julja, Олеся – Olesja, Оля – Olja.

Ky rregull vlen edhe për format e shkurtra zvogëluese nga emrat mashkullorë:  Володя – Volodja, Вася – Vasja, Витя – Vitja, Митя – Mitja, Ваня – Vanja.

Shënim: Antroponimet e tipit Наталия dhe Наталья kanë prejardhje të njëjtë, por juridikisht janë emra të ndryshëm, prandaj transmetimi i tyre në përkthim duhet ta pasqyrojë këtë dallim. Është kjo arsyeja që pas vitit 2015 në Rusi janë formuluar rregulla të reja për pasqyrimin  e këtij dallimi në transliterimin e emrave rusë me shkronja latine (vetëm për pasaportat për jashtë shtetit, patentat e drejtimit të automjeteve dhe kartat bankare). Transliterimi është standartizuar si më poshtë: Наталия – Nataliia dhe Наталья – Natalia, Мария – Mariia  dhe Марья – Maria,   Ксения – Kseniia dhe Ксенья – Ksenia, Анастасия – Anastasiia dhe Анастасья – Anastasia.

5. Kur në tekstin original ndeshem më shumë se dy forma përkëdhelëse zvogëluese të emrave (Masha, Машунчик, Marusja, Marijka – nga Maria; Borja, Borka, Borjushka – nga Boris), përkthyesi, për të shmangur rrezikun e perceptimit të tyre si emra të ndryshëm, fut në tekstin e përkthimit vetëm njërën formë.

6. Zanorja я jepet në shqip me ja, pavarësisht nga pozicioni që zë në fjalë: Яков – Jakov, Яковлева – Jakovleva, Зоя Ярёмченко – Zoja Jarjomçenko, Яким Овсянников – Jakim Ovsjanikov, Вячеслав Стоянов – Vjaçesllav Stojanov, Наталья Добросельcкая – Natalja Dobroselskaja, Рябин Чистяков – Rjabin Çistjakov, Костя Худяков – Kostja Hudjakov, Наталия Третьяковa  – Natalia Tretjakova, Святослав Лукьянов – Svjatosllav Llukjanov,  Татьяна Звягина – Tatjana Zvjagina,  Яна Шаляпинa – Jana Shaljapin.

Shënim: Variantet me ia, si: Kolia për Kolja, Tatiana për Tatjana, Viaçeslav për Vjaçeslav, që hasen në përkthime të ndryshme, duhen mënjanuar.

7. Zanorja ruse ë jepet në shqip me jo: Стёпа Ёжиков – Stjopa Jozhikov, Алёна Ёжкина – Aljona Jozhkina, Алёша Воробьёв – Aljosha Vorobjov, Пётр Гринёв – Pjotër Grinjov, Семён Муравëв – Semjon Muravjov,  Матрёна Берёзова – Matrjona Berjozova, Вася Тёркин – Vasja Tjorkin, Пётр Тёшкин – Pjotër Tjoshkin.

Shënim: Do të shkruajmë o pas bashkëtingëlloreve ч, ш щ, ж: Горбачёв – Gorbaçov,  Пугачёвa – Pugaçova,  Лихачёв – Lihaçov, Сухачёва – Suhaçova, Симашёв – Simashov, Тимашёв – Timashov, Сущёв – Sushçov, Слащёв – Sllashçov, Стрижёв  – Strizhov.

8. Zanorja e jepet në shqip me je: Ельцын – Jelcin, Есперсен – Jespersen, Лoмтев – Llomtjev, Григорьев – Grigorjev, Васильев – Vasiljev, Белослав – Bjellosllav, Надежда – Nadjezhda.

Shënim 1:  Pas bashkëtingëlloreve do të shkruajmë e shqip në trup të fjalës: Валерий Леденёв – Valeri Ledenjov, Алексей – Aleksei, Мамашев – Mamashev, Ожегов – Ozhegov, Марченко – Marçenko, Чехов – Çehov, Щебякина – Shçebjakina, Стрyчев- Struçev, Старцева – Starceva, Мальцев – Malcev, Юрцева – Jurceva, Зайцев – Zajcev, Лебедев – Lebedjev, Дементий – Dementi, Женя – Zhenja, Олеся – Olesja, Викентий – Vikenti, Демьян – Demjan, Геннадий – Genadi.

Shënim 2:  Shkrimi i zanores ruse e (je) në fillim të fjalës me je ose e është shumë i paqëndrueshëm, krahaso: Jekaterina/Ekaterina Jegor/Egor, Jershov/Ershov, Jesenin/Esenin, Jevgeni/Evgeni/Eug(gj)eni, Jevtushenko/Evtushenko, Jermollai/ Еrmollai,  Jelizavetа/Elizavetа, Jeremejev/ Eremejev, Jefimov/Efimov, Jermakov/Ermakov, Jermollajev/Ermollajev.

9. Zanorja ю zakonisht jepet në shqip me ju: Юрий – Juri, Юлия – Julia, Юдин – Judin, Ильюшин – Iljushin, Крючкова Krjuçkova, Плюшкин – Pljushkin, Рюмин – Rjumin, Хаxpюков – Hahrjukov.

Varianti i transkriptimit në shqip të ю ruse me iu shqipe (Liudmilla, Iliushina, Kriuçkova, Pliushkin, Riumin, Hahriukov), i huazuar nga gjuhët perëndimore, në shqip lexohet  me vështirësi, prandaj duhet mënjanuar.

10. Shqiptimi i bashkëtingëllores ruse x është i ndryshëm nga h e shqipes, por është germa më e afërt me të: Тихон Хренников – Tihon Hrenikov, Михаил Захаров – Mihail Zaharov Прохор Хомяков – Prohor Homjakov, Миха Харченко – Miha Harçenko, Архип  Харитонович– Arhip Haritonoviç, Дмитрий Разумихин – Dimitri Razumihin.

Variantet e zëvendësimit të fonemave të shqipes, të përafërta me rusishten (h për xju për ю) me transkriptime të huazuara nga gjuha angleze (përkatësisht  kh dhe iuMikhailLiudmilla, Kharçenko) duhen mënjanuar. Një përkthim i tillë do t’i ngjante një sallate të përzier me disa përbërës: emri/mbiemri i përveçëm rus, transkriptimi anglisht, gjuha e përkthimit shqip.

11. I paqëndrueshëm ka mbetur shkrimi i emrave të përveçëm të rusishtes me bashkëtingëllorenл(ll), edhe pse në “Drejtshkrimin e gjuhës shqipe” (1973) është vendosur të shkruhen me l të gjithë emrat e gjuhëve sllave, pavarësisht shqiptimit të l në këto gjuhë (Lugansk Bajkal, Milosh, Ladoga, Lomonosov, etj.). Ky rregull drejtshkrimor në përkthimet e shqyrtuara diku është respektuar e diku jo. Ja disa shembuj: Mihail, Lolita, Luiza, Vladimir, Vjaçeslav, Lzhedimitri; Sollzhenicin, Dovllatov,  Llotman, Ludmilla, Ciollkovski, Llarisa, Vollodia, Lluçezar, Zabollocki, Stanisllav, Vollkov, Llazar. 

Lind pyetja: pse autorët e “Drejtshkrimit…” kanë lënë jashtë emra nga gjuhë të tjera, fjala vjen, Bill (nga anglishtja), Ballkan (nga turqishtja), të cilët i shqiptojmë dhe e shkruajmë me ll, ndërsa emërtimin Балтийское море duhet ta shkruajmë Deti Baltik; ose pse duhet të shkruajmë për rusishten Nikolai, Lazar kur në shqip shkruajmë dhe shqiptojmë Nikolla, Nikollai. Llazar, Llazi. Mendoj se do të varet nga përkthyesi, nëse do të shkruaj Stanisllav ose Stanislav, Llopuhova ose Lopuhova, Vollga ose Volga, Vollgograd ose Volgograd, Povollzhje ose Povlzhje,.

12. Toponimet:

a. Toponimet ruse që mbarojnë me -ье në shqip është e rekomandueshme të jepen me –je: Зарядье –Zarjadje, Заборье – Zaborje, Задорожье – Zadorozhje, Приморье – Primorje, Дубовичье – Duboviçje, Медвежье – Medvezhdje, Заполярье  – Zapolarje, Полесье – Polesje. Поволжье – Povollzhje (Variantet e tipit Zarjadije, Zarjadie, Duboviçije, Duboviçie janë të papërshtatshme).

b. Toponimet ruse që mbarojnë me elementet –ск dhe –цк, nëtrajtën e shquar të shqipes marrin – u (–sku dhe –cku):Архангельск – Arhangelsk-u, Брянск – Brjansk-u, Белогорск – Bjellogorsk-u, Иркутск – Irkutsku-u, Курск – Kursk-u, Смоленск – Smolensk–u, Луганск -Lugansk-u, Новороссийск – Novorosijsk-u, Новосибирск – Novosibirsk-u, Липецк – Lipeck-u,  Донецк – Doneck–u.  

c. Për toponimet rusishtes me xnë fillim ose në trup të fjalës, në shqip duhet ruajtur tradita e shkrimit më h të shqipes: Хабаровск – Habarovsk, Харкив – Harkiv, Херсон – Herson, Астрахань – Astrahan, Сахалин – Sahalin, Махачкала – Mahaçkala. Variantet Khabarovsk, Kharkiv, Kherson, Astrakhan, Sakhalin, Bakhmut janë imitime transkriptimesh të papranueshme për dëgjuesin dhe lexuesin shqiptar.

d. Transkriptohen gabim nga rusishtja disa mbiemra ose toponime të gjuhëve të tjera sllave me alfabet cirilik (bullgarishtja, serbishtja). Mbiemri bullgar Първанов ose toponimi Велико-Търново për mungesë të zanores ë në rusishte transkriptohet me zanoren –ы: Пырванов, Велико-Тырново. Këto dy njësiduhen dhënë në shqip jo nga transkriptimi i rusishtes (Pirvanov, Veliko-Tirnovo), por me transliterim të drejtpërdrejtë nga bullgarishtja, përderisa edhe bullgarishtja, edhe shqipja janë të pajisur me zanoren ë: Përvanov, Veliko-Tërnovo. Mbiemri serb Вучић, i transkriptuar në rusisht Вучич,në gjuhën shqipe, për arsye etike,duhet shkruar me ç (Vuçiç) dhe jo me q Vuçiq,ndonjëherë Vuqiq (takova Vuqiqin, i thashë Vuqiqit). Për të mos rrëshqitur në banalitet edhe mbiemri Пысин duhet transkriptuar në shqip jo me (Pisin), por me një zanore të përafërt me të, Pësin ose Pysin.

Krahas transkriptimit dhe transliterimit të njësive antroponimike dhe toponimike, në praktikën përkthimore përdoret edhe kalkimi (përkthimi). Zakonisht kalkohen emërtimet, si:  Ладожское озеро – Liqeni i Ladogës, Черное море – Deti i Zi, Зимний дворец – Pallati i Dimrit etj. Këto raste përcillen lehtë në përkthim. Detyra e përkthyesit bëhet me e vështirë në rastet, kur ai duhet të përcjellë emra, mbiemra të përveçëm, të krijuar nga vetë autori i veprës, të cilët, krahas funksionit emërtues, identifikues, kanë edhe ngarkesa të tjera kuptimore e stilistike që ndihmojnë në zbërthimin e idesë së autorit, si: Sobakieviç (nga qen, me prirje qeni), Svistunov (nga fishkëllimë), Pugovicin (nga kopsë), Pravdin (nga e vërtetë), Bosoj (nga këmbëzbathur), Krisoboj (nga vrasës minjsh). Në shumicën e rasteve ato transkriptohen, por me teknikën e transkriptimit në përkthim humbet e gjithë ngarkesa që mbart emri.  Për të ruajtur këtë informacion disa përkthyes përdorin kalkimin. Le shqyrtojmë sa për ilustrim një rast ku kalkimi ka qenë zgjidhje përktimore e pastudiuar mirë nga përkthyesi.

 Në novelën e Bullgakovit “Zemër qeni” funksioni i nofkës së qenit Sharik  është i veçantë, sepse prej saj buron mbiemri i përveçëm Sharikov. Autori e përshkruan Sharikun si qen endacak, trupvogël, topolak, pushator, por i ushqyer mirë. Këtë mbiemër qeni e mori kur u shndërrua në njeri pas transplantit të hipofizës. Si njeri Sharikov filloi të sillej si dhuruesi i organit me të gjitha veset e tij. Pikërisht emrin e këtij personazhi kryesor përkthyesi e ka shqipëruar si Rrumbullaku. Kur Rrumbullaku shndërrohet pas operacionit në njeri, përkthyesi i shton emrit prapashtesën ruse ov dhe në vend të mbiemrit rus Sharikov përdor mbiemrin shqip Rrumbullakov. Përkthimi i nofkës ruse Sharik në këtë rast është i padobishëm, sepse, veçse të vret veshin, sidomos kur antroponimi përmendet i plotë Poligraf Poligrafoviç Rrumbullokov, por edhe sepse emri shqip Rrumbullaku nuk i thotë asgjë më shumë lexuesit se përshkrimi i autorit.

Nga sa u parashtrua më sipër, mund të bëhet ndonjë përgjithësim:

Para përzgjedhjes së teknikave përkthimore duhet bërë studimi paraprak kulturologjik i tekstit. Vetëm pasi përkthyesi bindet për përkatësinë kombëtare gjuhësore të antroponimit ose toponimit vendos për mënyrat e transmetimit. Zgjedhja e teknikës përkthimore duhet të mbajë parasysh të gjithë komponetët e formës dhe të përmbajtjes së njësisë antroponimike. Emri i përveçëm i transkriptuar duhet të shqiptohet pa vështirësi dhe të ketë tingëllim të pranueshëm. Është me shumë rëndësi që transmetimi i njësive antroponimike dhe toponimike të ruajë sa është e mundur shqiptimin si në origjinal, pa iu larguar shumë formës shkrimore të emrit.

Pavarësisht përshtypjes se njësitë antroponimike dhe toponimike përcillen lehtë në përkthim, përkthyesi profesionist e fillon përkthimin vetëm pasi njihet hollësisht me të gjithë informacionin e nevojshëm. /Gazeta “ExLibris”/

 

Exit mobile version