Telegrafi

Emocionuese: Luiz Diaz takon babain e tij për herë të parë pasi e liruan nga rrëmbimi

Futbollisti i Liverpoolit, Luis Díaz u ribashkua të martën me babanë e tij, i cili u rrëmbye në Kolumbinë veriore nga një njësi e një grupi gueril në fund të tetorit dhe u lirua javën e kaluar.

Fotografitë e postuara në llogarinë e Federatës Kolumbiane të Futbollit në platformën X, kapën sulmuesin dhe babain e tij, Luis Manuel Díaz Jiménez, duke u përqafuar me njëri-tjetrin.

Me mesazhin “Mirë se erdhe në shtëpi Luchooo”, federata njoftoi ardhjen e babait të Diaz në Barranquilla, ku kombëtarja kolumbiane do të luajë kundër Brazilit të enjten.

Lexo po ashtu Babai i Luis Diaz flet për herë të parë që nga lirimi i tij nga rrëmbyesit

Persona të armatosur rrëmbyen prindërit e Diazit nga një pikë karburanti në qytetin e vogël Barrancas më 28 tetor. Nëna e tij, Cilenis Marulanda, u shpëtua brenda pak orësh nga policia që vendosi postblloqe rreth qytetit me 40 mijë banorë, i cili është afër kufirit të Kolumbisë me Venezuelën.

Pas rrëmbimit, forcat speciale u vendosën për të kërkuar për babanë e Diazit në një varg malesh që kalon Kolumbinë dhe Venezuelën. Policia ofroi gjithashtu një shpërblim prej 48 mijë dollarësh për informacionin që e çonte tek ai.

Fillimisht ishte e paqartë se kush e kreu rrëmbimin, mirëpo më pas Qeveria e Kolumbisë njoftoi se kishte informacione se një njësi e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ose ELN, ishte përgjegjëse për rrëmbimin.

Lexo po ashtu Dy javë që nga rrëmbimi - më në fund lirohet babai i Luis Diaz

Të enjten e kaluar, pas disa ditësh negociatash intensive, grupi gueril ia dorëzoi Diazin punonjësve humanitarë në një zonë kufitare malore./Telegrafi/