Telegrafi

Argjentina ngrihet në këmbë për ta kthyer Messin në Kombëtare

Lionel Messi ka lajmëruar se i ka dhënë fund aventurës së tij me Kombëtaren e Argjentinës pasi humbi në finalen e Kupës së Amerikës ndaj Kilit.

Por populli argjentinas nuk e pranon këtë largim të futbollistit më të mirë në botë pasi janë duke bërë shumë mesazhe për ta kthyer atë.

Çështja është aq serioze sa që edhe kryetari i shtetit ka telefonuar Messin për t’i kërkuar ta mendojë edhe njëherë vendimin e tij për largim nga Kombëtarja.

Por sikur mos të mjaftonte kjo thirrje e kryetarit, tifozët janë duke organizuar diçka sensacionale.

Më 2 korrik në kryeqytetin argjentinas Buenos Aires, është paralajmëruar për një protestë masive për t’ia ndryshuar mendimin ‘xhuxhit magjik’.

Në një ngjarje të hapur në Facebook, 53 mijë persona deri më tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen në protestë por ky numër pritet të shtohet gjatë tri ditëve të ardhshme.

Argjentina është ngritur në këmbë për ta rikthyer Messin në Kombëtare, pasi duket se i gjithë populli është bashkuar për ta mbështetur yllin e Barcelonës dhe kapitenin e tyre.

Mbetet të shihet nëse Messi do ta ndërrojë vendimin e tij edhe pas kësaj proteste madhështore që pritet të mbahet. /Telegrafi/