Site icon Telegrafi

Emocione e krenari, diplomimi i oficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës përmes fotografive

Sot në kazermën “Adem Jashari”, në Prishtinë u mbajt ceremonia e diplomimit të 16 oficerëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK)-së, gjenerata 2024.

Në këtë ceremoni të diplomimit morën pjesë drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të FSK-së, transmeton Telegrafi.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se kjo ditë është ditë krenarie dhe rezultat i përkushtimit shpirtëror dhe gatishmërisë për të dhënë jetën për atdhe.

“Ëndrrën e gjithë atyre që kanë pasur sot po e realizoni, nuk kam si ta fsheh krenarinë që kam. Kjo ndjenjë krenarie është rezultat i përkushtimit tuaj shpirtëror, gatishmërisë që keni për të dhënë jetën për atdhe. Të zgjohesh në mëngjes me këtë mision në zemër është me të vërtet fisnike”, u shpreh ai.

Ai shtoi se pjesëtarët e FSK-së në vazhdimësi po tregojnë profesionalizëm dhe se ata po luftojnë vetëm për paqe ashtu si komandanti legjendar të Kosovës, “Adem Jashari”.

“Është e vështirë por është gjëja më e rëndësishme në jetë ti mësoni teknikat për luftim. Ju tani keni atë për tu udhëhequr, përgatitjen fizike dhe emocionale, njohjen dhe aftësinë pa marrë parasysh se situatën që gjendeni. Si ofrues të sigurisë dhe paqes janë ushtarakët tanë që krahë për krahë po ushtrojnë për të mbrojtur atdheun.  Ju pjesëtarët e FSK-së në vazhdimësi po tregoni profesionalizëm, partnerët tanë njohin qëndrimet tona, luftojmë vetëm për paqe ashtu si komandanti legjendar të Kosovës, Adem Jashari”, tha ai. /Telegrafi/

 

Exit mobile version