Një ushtar i FSK-së këtë ditë e priti në një mënyrë krejt të veçantë. Atij i lindi djalë. Asim Gashi tha se ndihet më i lumtur se kurrë.
Ushtari i FSK-së, Asim Gashi, ka përjetuar dy gëzime në një ditë.
Përpos lajmit të formimit të ushtrisë së Kosovës, atij i erdhi në jetë edhe djali.
“Po ndihem shume mirë, pasi sot kam arsye të gëzohem dy herë. Unë dhe bashkëshortja ime Zana kemi sjellë në jetë një djalë…Isha duke menduar që emrin, nëse pajtohet edhe Zana t’ia lëmë Priarm, pra ti prijë armatës”, shprehet për RTV Dukagjinin Asim Gashi, pjesëtar i FSK-së.
Lindja ndodhi në Klinikën Amerikane “Dr. Behar Kusari”, dhe sipas Gjinekologut Memli Morina, nëna dhe fëmija janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore.
“Është një ndjenjë e veçantë kur vjen në jetë një fëmijë i shëndoshë. E tillë është edhe kjo lindje. Edhe nëna edhe fëmija janë në gjendje të shëndoshë…Këtë ardhje në jetë e bën edhe më të veçantë se prindi I fëmijës është pjesëtarë i ushtrisë më të re në Evropë, e kjo e shton emocionin edhe për ne”, deklaroi gjinekologu Memli Morina, përcjell Telegrafi.
Edhe Neonatologu, Faton Xhaka, thotë se foshnja është e gjinisë mashkull dhe gjendja e tij shëndetësore është e shkëlqyeshme.
“Ne sapo e përfunduam lindjen e tretë në këtë ditë në klinikën amerikane “Dr. Behar Kusari”. Gjendja e foshnjës është e shkëlqyer, gjinia mashkull. Ne i dëshirojmë jetë të gjatë dhe shëndet foshnjës”, deklaroi neonatologu, Faton Xhaka.
Kjo ishte lindja e tretë me radhë në këtë klinikë. Për rastësi, dy foshnjave të para iu vu emri i njëjtë LEKË që simbolizon figurën e lartë historike./RTV Dukagjini/Telegrafi/