Site icon Telegrafi

Emisari i ri i dialogut bisedon ndaras me Bislimin dhe Petkoviqin, merr ftesa për vizita në Kosovë e Serbi

Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka zhvilluar sot takime të ndara me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Sorensen përmes një postimi në platformën “X”, ku ai ka theksuar rëndësinë e këtyre bisedimeve.

“Kam biseduar ndaras me dy kryenegociatorët, Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviq. Vlerësoj diskutimet produktive dhe mirëpres ftesat e tyre për të vizituar së shpejti Kosovën dhe Serbinë”, shkroi ai.

Po ashtu, emisari i BE-së për dialogun ka zhvilluar një takim edhe me shefin e Misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano.

Sorensen bëri të ditur se gjatë bisedës është diskutuar mbi bashkëpunimin e ngushtë mes BE-së dhe EULEX-it në Kosovë.

“Pata një takim hyrës të mirë me @EulexHoM sot në Bruksel. Jam mirënjohës për informimin e tij mbi punën e @EULEXKosovo. Ramë dakord të bashkëpunojmë ngushtë në përpjekjet tona”, theksoi Sorensen.

Takimet e sotme vijnë në një kohë të ndjeshme për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa BE-ja vazhdon përpjekjet për të çuar përpara negociatat mes dy vendeve.

Exit mobile version