Telegrafi

Dy emisarët për Ballkanin, Sarrazin e Frangeš vizitojnë pikën kufitare Jarinjë

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, si dhe ai i Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anzej Frangeš, kanë vizituar të enjten pikën kufitare në Jarinjë, pak ditë pasi Lista serbe vendosi të dalë nga institucionet e Kosovës.

Sarrazin dhe Frangeš gjatë vizitës së tyre në Kosovë janë takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Në pikëkalimin kufitar Jarinje në veri të Kosovës me të dërguarit special për Ballkanin Perëndimor Anžej Frangeš dhe Manuel Sarrazin…”, shkruan ambasadorja sllovene në Kosovë, Minca Benedejçiq.

Ndryshe, të mërkurën kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në zyrën e tij Emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin dhe të Dërguarin e posaçëm të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anžej Frangeš.

Në këtë takim, përkrah kryeministrit Kurti ishin Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Në këtë takim Kurti tha se vendimi dhe veprimet e qeverisë janë në shërbim të sundimit të ligjit dhe marrin parasysh brengat e partnerëve ndërkombëtarë për sigurinë dhe paqen.

Ndërkaq sa i përket bojkotit të institucioneve nga Lista Serbe, tha se është i nxitur dhe orkestruar nga Beogradi që ka vazhduar qasjen destruktive në marrëdhëniet me Kosovën dhe se është përpjekje për ta mbuluar mosgatishmërinë për diskutime rreth elementeve të marrëveshjes kornizë që çon drejt normalizimin të plotë të raporteve. /Telegrafi/