Artion Marra kishte vendosur të emigronte në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kërkim të një jete më të mirë, tre vjet më parë.
Atëbotë, përcjell Telegrafi, shqiptari 26-vjeçar, trokiti në dyert e disa agjencive të rekrutimit shqiptarë të cilët gjejnë vende pune në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ai madje tanimë ka fituar një licencë rekrutimi dhe është në rrugë për hapjen e një agjencie të veten. Ndërkohë ai gjithashtu punon në Dubai si një menaxher i spitalit amerikan.
“Unë kam kaq shumë projekte dhe mundësi tani, dhe ato do të më mbajnë mua në Emiratet e Bashkuara Arabe për një kohë të gjatë. Përvoja ime këtu ka qenë një bekim”, ka thënë për BIRN-in, Marra.
Para vitit 2009, pak shqiptarë kanë punuar në vendet arabe, por sot mijëra prej tyre punojnë atje, duke e parë atë si një destinacion kryesor për të rinjtë që duan mundësi të reja profesionale dhe financiare.
Marra u largua nga Shqipëria me një diplomë në financa, por pa përvojë pune dhe ka thënë se fillimi i tij në botën arabe nuk ka qenë aq i lehtë.
“Në nëntor të vitit 2013, unë u nisa për në Bahrejn, pasi një agjenci rekrutimi më premtoi se do të punoja si një kamerier në të famshmin Hotel “Ritz-Carlton”. Por ajo që bëra unë fillimisht ishte një punë në një hotel shumë më modest, me një pagë prej vetëm 350 euro në muaj”, kujton ai.
Pas tre muajsh, ai u kthye në Shqipëri i zhgënjyer, por edhe me ide të qarta, përcjell Telegrafi.
“Përvoja që kalova ishte shumë e keqe, por kam mësuar një gjë të çmuar: Vendet arabe janë një minierë ari për njerëz si unë që kanë vështirësi për të gjetur punë në Shqipëri”, ka thënë ai.
Ai menjëherë mori në kontakt një tjetër agjenci punësimi në Tiranë, këtë herë duke marrë një kontratë më të saktë.
Në mars të vitit 2014, ai u nis për në Abu Dhabi për të filluar një punë si recepsionist në një spital.
“Këtë herë çdo gjë shkoi siç ishte planifikuar. Kam punuar për disa muaj si recepsionist në spital dhe më vonë u gradova si menaxher”.
Në dhjetor 2016, ai mori një ofertë për të kaluar në Dubai, këtë herë si menaxher i përgjithshëm në një spital të vogël, me dyfishin e pagës që ai ishte duke fituar në Abu Dhabi.
Trendi që filloi në vitin 2009
Ermal Jauri, drejtor i një agjencie rekrutimi dhe përfaqësues i Dhomës së Tregtisë së Tiranës në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka thënë për BIRN-in se vendet arabe filluan të kërkojnë punëtorë në Shqipëri në vitin 2009, pas së cilës mijëra të rinj përqafuan mundësinë.
Jauri ka bërë të ditur se kontratat e para erdhën si rezultat i përpjekjeve personale të agjencisë së tij dhe ishin vazhduar si rezultat i performancës së mirë të shqiptarëve, edhe pse shteti shqiptar ende nuk kishte nënshkruar ndonjë marrëveshje me ndonjë nga vendet e Gjirit, kur është fjala për punësimin.
“Ne ishim skeptik në fillim, sepse ne nuk e dinim nëse të rinjtë shqiptarë do të përshtaten në mjedisin e punës luksoze të Emirateve të Bashkuara Arabe. Por doli se punëkërkuesit shqiptarë ishin shumë të përshtatshëm dhe kërkesa për këta punëtorë ishte rritur”, tha ai.
Ai thotë se shtetet e Gjirit janë bërë një zgjedhje e preferuar, jo vetëm për shqiptarët që jetojnë në Shqipëri, por edhe për shqiptarët nga Kosova, Maqedonia, dhe Mali i Zi – agjencia e tij kohët e fundit hapi degët në të gjitha këto vende.
“Të rinjtë shqiptarë në përgjithësi kanë një diplomë universitare, pa pasur ndonjë ekspertizë të fortë në fushën që ata janë të diplomuar ose pa pasur shanse për të bërë praktikën”, shton ai.
“Në vendet arabe, korporatat e mëdha i punësojnë ata fillimisht në pozicione të ulëta, por më vonë ata identifikojnë aftësitë e tyre të veçanta, duke u dhënë atyre një mundësi për të lëvizur deri në postet e larta të kompanisë”, ka shpjeguar Jauri.
Ai thotë se atje është një mënyrë e ndryshme e rekrutimit dhe promovimit në krahasim me shumicën e vendeve evropiane, përcjell Telegrafi.
“Ne kemi marrë oferta pune nga vendet evropiane, por është e vështirë për të përmbushur ato nga tregu ynë, pasi që ata duan njerëz shumë të specializuar, në një kohë kur sistemi ynë arsimor është kryesisht gjeneralist”, shpjegon më tej ai.
Arton Marra thotë se si rezultat i politikës së BE-së, tregu i punës evropian pothuajse është mbyllur hermetikisht ndaj shqiptarëve.
“Ka shumë diskriminim ndaj shqiptarëve në tregun evropian të punës, ndërsa në vendet si Emiratet e Bashkuara Arabe askush në të vërtetë dëshiron nuk të dijë se prej nga vini ju; ata janë vetëm të interesuar në aftësitë tuaja”, thotë ai.
Numri i saktë i shqiptarëve që kanë lëvizur për të punuar në vendet arabe në vitet e fundit nuk dihet, por, duke folur për agjencinë e tij, Jauri thotë se gjatë vitit 2016 janë nënshkruar kontrata për 280 të rinj nga Shqipëria dhe 78 të tjerë nga Kosova që punojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Nga viti 2009 e deri më sot kemi dërguar rreth 1.200 shqiptarë për të punuar në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe trendi është në rritje”, bën të ditur ai.
Prindërit, të dyshimtë dhe të shqetësuar
Kur 22-vjeçarja Besa Tejeci nga Prizreni i Kosovës u tha prindërve të saj se ajo donte të shkonte dhe të punonte si një shitëse në Dubai, ata ishin më shumë se të befasuar.
“I kapa ata në befasi. Ata nuk mund të besonin që unë do të bëja një gjë të tillë, pjesërisht për shkak se unë kurrë nuk isha larguar nga Kosova për të udhëtuar jashtë vendit. Megjithatë, pasi kemi diskutuar rreth kësaj, ata e miratuan një vendim timin për të shkuar në Dubai”, ka thënë ajo për BIRN-in, përcjell Telegrafi.
Ajo thotë se ishte vendimi më i mirë që ajo ka bërë ndonjëherë në jetën e saj.
“Kam ardhur këtu më 25 dhjetor dhe punoj si shitëse parfumash në ‘Marina Shopping Mall’ në Dubai. Ndajmë një apartament me dy vajza të tjera shqiptare dhe deri tani unë jam me të vërtetë e kënaqur”, ka rrëfyer ajo. /Telegrafi/