Telegrafi

Emiratet e Bashkuara blejnë 80 aeroplanë luftarakë Rafale – sasia më e madhe e shitur ndonjëherë prej Francës

Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) kanë porositur 80 aeroplanë luftarakë Rafale, porosia më e madhe ndonjëherë për këtë lloj aeroplani.

Është një marrëveshje armësh shumë miliardë dollarëshe që thellon lidhjet ekonomike dhe politike me Francën.

Presidenti francez, Emmanuel Macron nisi të premten një turne dyditor në shtetet e Gjirit gjersa përveç Emirateve, do të vizitojë edhe Katarin dhe Arabinë Saudite.

Vizita vjen në një kohë kur shtetet arabe të Gjirit po shprehin pasiguri në lidhje me fokusin e SHBA-së në rajon, ndërsa kërkojnë më shumë armë nga aleati i saj kryesor i sigurisë.

Presidenti francez ka krijuar marrëdhënie të mira me trashëgimtarin e fronit të Abu Dhabit, Sheikh Mohammed bin Zayed al-Nahyan, me investime që do të bëhen mes dy vendeve. Franca ka një bazë të përhershme ushtarake në kryeqytetin e Emirateve.

“Përveç pranisë së tre bazave ushtarake franceze në Emiratet e Bashkuara Arabe, ky besim i ndërsjellë është rritur në blerjen e 80 aeroplanëve Rafale, 12 helikopterëve Caracal dhe elementëve të lidhura me to”, njoftoi presidenca franceze në një deklaratë pas ceremonisë së nënshkrimit midis Sheikh al- Nahyan dhe Macron në Dubai.

Negociatat për aeroplanët luftarakë Rafale janë zhvilluar për më shumë se një dekadë midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe furnizuesve të tyre francezë. /Telegrafi/