Site icon Telegrafi

Emir Sahiti zbulon emocionet pas golit të parë me Hamburgun para 71 mijë tifozëve në Berlin

Emir Sahiti është duke kaluar muajt e parë te skuadra e madhe gjermane Hamburg.

Sulmuesi kosovar iu bashkua klubit të madh gjerman në ditët e fundit të afatit kalimtar veror, derisa pas vështirësive në fillim tani është bërë titullar i rregullt në formacionin bazë.

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin nga Hamburgu, Sahiti tregon emocionet që kishte duke shënuar golin e parë me fanellën e Hamburgut, e që ishte në prani të 71 mijë tifozëve.

Hamburg mori fitore në udhëtim te Hertha Berlin 2-3, derisa Sahiti shënoi golin e fundit në një ndeshje që u përfol në gjithë mediat botërore për faktin se në nivelin e dytë të garave u mblodhën 71 mijë tifozë.

“Kam shënuar golin vendimtar ndaj Hertha Berlinit dhe ka qenë një ndjenjë e mirë të shënoj, edhe pse më rëndësi kishte fitorja”.

“Ka qenë një atmosferë shumë e mirë ku 20 mijë tifozë tanë ishin në Berlin dhe ishte një atmosferë fantastike”.

“Tani pres që të shënoj gol para tifozëve vendas. Unë jam sulmues anësorë dhe priten gola e asistime nga unë. Gjithsesi unë gjithmonë qes skuadrën para vetës dhe rëndësi ka gjithmonë ecuria e ekipit”, deklaroi Sahiti për Telegrafin. /Telegrafi/

Exit mobile version