Telegrafi

Emiljano Shullazi e Gilmano Dani, akuza për organizatë kriminale

Emiljano Shullazi, i cili u shoqërua mbrëmjen e djeshme, është arrestuar pak pas mesnatës duke u gdhirë ditën e sotme.

Prokuroria për Krimet e Rënda ka lëshuar një urdhër arresti për të dhe Gilmano Danin, i cili është krahu i djathtë i Shullazit.

Urdhër-arresti është lëshuar pas takimit të kryeprokurorit Adriatik Llalla me kreun e Policisë Haki Çako, e kreun e prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha.

Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë bërë të ditur se Shullazi dhe Dani akuzohen për pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Policia i ka komunikuar urdhër-arrestin Shullazit dhe Danit, në ambientet e Policisë së Tiranës ku ndodheshin të shoqëruar.

Përfshihet prokuroria

Prokuroria e Përgjithshme është përfshirë në ndalimin e Shullazit. Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, ka thirrur në një takim urgjent drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako. Takimi u zhvillua mbrëmë në Prokurorinë e Përgjithshme.

Pavarësisht se policia ka konfirmuar shoqërimin e Emiljano Shullazit në drejtorinë e Policisë së Tiranës, nuk ka asnjë njoftim tjetër lidhur me operacionin e zhvilluar nga policia e Tiranës.

Sipas të dhënave të para, është bërë kontroll në shtëpinë e tij dhe të miqve të tij në rrugën e Kavajës, por nuk është thënë asgjë rreth rezultatit të operacionit.

Shullazi ka një kohë të gjatë që është futur në retorikën politike. Që në zgjedhjet e vitit 2013 dhe më fort në zgjedhjet lokale të vitit 2015, Shullazi u kthye në një personazh publik.

Kohët e fundit, ai u përmend me emër nga ambasadori amerikan në Tiranë, ndërsa sot, Sali Berisha denoncoi një kërcënim që sipas tij, Shullazi kishte bërë ndaj kandidatit për rektor të universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.

Ai është ndaluar, arrestuar dhe dënuar disa herë për vepra të ndryshme penale. Ndaj tij ka pasur edhe disa atentate për ta eliminuar.