Forcat e policisë së Guernsey dhe shërbimet lokale të emergjencës i kanë pezulluar kërkimet për aeroplanin që është zhdukur dhe që besohet se në të është sulmuesi Emiliano Sala.
Ai kishte nënshkruar me Cardiffin të hënën në mbrëmje, pas një lufte të madhe për të treguar vlerën e tij duke i arritur edhe ëndërrta që i kishte.
Ky i fundit ishte sezoni në të cilin Sala arriti kulmin e karrierës së tij sportive, duke shënuar 12 gola në Ligue 1 me Nantes, gola që ia hapën rrugën për në kampionatin më të fortë në botë, atë të Ligës Premier.
Pavarësisht vështirësive në lidhje tarifën e transferimit, Sala, nënshkroi përfundimisht me Cardiff Cityn.
Ai e nisi me Bordeauxin, por kishte lindur në provincën e Santa Fes të Argjentinës dhe luftoi shumë që të arrijë të bëjë një karrierë në Evropë, duke ardhur si fëmijë në Francë.
Ai u huazua te Orleans dhe Niort, në liga të treta dhe të dytë të futbollit francez, pas ardhjes nga Argjentina.
Për fat të keq, rikthimi në Bordeaux nuk ishte aq i suksesshëm dhe ishte Nantes që i besoi përfundimisht dhe nënshkroi me të në sezonin 2015/16.
Në sezonin e parë me ‘Les Canaris’, shënoi gjashtë gola në 31 ndeshje, por tre sezonet pasuese ishin më të bujshme, sidomos ky i fundit 2018/19.
Pas shënimit të 12 golave këtë edicion, ishte në një nivel me Kylian Mbappen, si golashënuesi më i mirë i ligës, për disa javë.
“Miqtë e mi në Argjentinë nuk mund ta besojnë, ata do të dyshojnë kur më shohin si golashënuesi më i mirë i Francës së bashku me Mbappe “, thoshte atëherë.
“Nuk do ta harroj kurrë nga kam ardhur. Momenti që po kaloj aktualisht është një rezultat i kësaj”, kishte thënë në atë kohë Sala.
Për ta treguar modestinë e tij, duhet të shihet, gjesti i tij i fundit.
Ai mori një aeroplan privat që sot është i zhdukur me gjithë të, për tu kthyer në Francë, që t’i përshëndes shokët e tij tek klubi i Nantes ku kishte kaluar katër vite.
Qyteti i Cardiffit do të ishte hapi i ardhshëm i Sala dhe një shpërblimi për të gjithë punën e tij të vështirë. Bota shpreson se kjo gjë ende mund të ndodh, pasi të gjithë po lutën për të. /Telegrafi/