Telegrafi

Emilia Clarke në darkë virtuale me ndjekësit, i fton që ta ndihmojnë të mbledhë 250 mijë funte

Emilia Clarke (Foto: Alberto E. Rodriguez/Getty Images/Guliver)

Aktorja e serialit të njohur “Game of Thrones” ka ftuar të gjithë ndjekësit e saj që t’i bashkohen në rrjetet sociale për të darkuar virtualisht.

33-vjeçarja kishte ndarë planin e saj ditën e djeshme (e hënë) në rrjetin social Instagram, shkruan The Sun. Në një video, ajo tha: “Si do të ndjeheshit të drekoni me mua? Virtualisht”.

“Së bashku ne do të gatuajmë dhe do ta hamë së bashku dhe do të diskutojmë shumë gjëra, izolimin, frikën dhe gjithashtu video qesharake dhe faktin që nuk mund të gatuaj vërtet”.

Ajo e kishte cilësuar këtë gjest si atraktiv, pasi që shumica apo pothuajse të gjithë tashmë gjenden të mbyllur në shtëpitë e tyre.

Emilia pastaj shpjegoi më shumë rreth fondit të ndihmës SameYou Covid-19, për të cilin dëshiron të mbledhë 250.000 funte (280.100 euro). Krahas videos ajo shkroi: “Të dashur, nga kabina ime e izolimit ju shkruaj me një lutje për ndihmë!

“Për shkak të emergjencës aktuale ju lutem të më ndihmonit të arrija 250.000 funte, duke dhuruar përmes linkut në profilin tim, për t’i siguruar pacientëve mbështetje”.

Emilia themeloi fondacionin SameYou në muajin mars të vitit të kaluar, pasi pësoi dy aneurizma të trurit gjatë ditëve të para të saj në “Game of Thrones”, ku ajo luajti Daenerys Targaryen. /Telegrafi/