Telegrafi

Emigrantët sollën 150 milionë euro më pak

Emigrantët shqiptarë që punojnë jashtë vendit po dërgojnë gjithmonë e më pak para në kuadrin e krizës financiare globale.

Alarmi jepet nga Banka e Shqipërisë, sipas të cilës të ardhurat e tyre për ekonominë vendase kanë shënuar një kurbë të fortë rënëse pas një ecurie vetëm ngjitëse të viteve të fundit.

E e thënë ndryshe, ato ranë me gati 3 përqind, nga 12 në 9.2 në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Ndërkaq, të dhënat e BSH flasin edhe për një rënie të eksporteve, 18 përqind në 11 përqind në fund të vitit.

Këta tregues pasqyrojnë në të vërtetë vetëm fillimin e shfaqjes së efekteve të krizës ekonomiko-financiare që ka mbërthyer sot botën, në ekonominë shqiptare, e cila konsiderohet gjithsesi një ekonomi ende në zhvillim, e papërfshirë në sistemet ndërkombëtare financiare.

Sa i përket aktivitetit të bankave të nivelit të dytë, Banka e Shqipërisë deklaron se kriza botërore ka ndikuar edhe në sistemin financiar.

Ndonëse bankat në Shqipëri kapërcyen pa tronditje fazën e parë të krizës e cila preku këtë sistem, aktiviteti i tyre pësoi, sipas të dhënave të vetë Bankës Qendrore, tkurrje edhe për vetë pozicionin mbrojtjës që ato morën.

Rritja vjetore e aktiveve të sektorit bankar u ngadalësua në 12 për qind, krahasuar me 19 për qind në vitin e kaluar.