Site icon Telegrafi

Emigrantët nuk kthehen se në Atdhe i marrin për të çmendur

Emigracioni nuk shkatërron jetën e emigrantëve! Harrojeni këtë budallik! Shkatërron jetën e atyre që mbeten. Prandaj i ngjan një dige të çarë, pas të parëve ikin të dytët, të tretët, të katërtët! E vërteta është se askush në politikë nuk i do emigrantët më të kthehen në shtëpi. Një pjesë e madhe e tyre i ngjanë robërve te shpella e Platonit që kurrë nuk kishin parë dritë me sy. Njeri prej tyre doli dhe pa që jashtë kishte diell.

U kthye dhe ua tha të tjerëve. Ata e morën për të çmendur! E rrahën, e shanë, e pështynë! Prandaj nuk kthehen emigrantët! Kanë frikë se i marrin për të çmendur! Çfarë thua mo? Ku ka dritë? Çfarë është kjo drita? Lidheni mo këtë se ky gënjen popullin!

Kështu, edhe emigrantët janë shumë të emancipuar për të duruar jarabi-arabi-turqininë se jetojnë në lagjet e Londrës, Romës, Bostonit etj. Nuk do njeri sepse ata votojnë të lirë dhe nuk ka patronazhist që i kap. Nuk ka sondazh që e parashikon votën e tyre. Doni fakte? E patë si ua mbyllën derën për votime atyre në Greqi! Se nuk i mbanin dot në karantinë dhe atje t’u çonin fletët e votimit! Sapo mbaruan zgjedhjet, i lanë përsëri të hyjnë! Nuk i do njeri sepse ata kudo t’i punësosh nuk durojnë dot politizimin e qendrave të punës, arbitraritetin e bosave.

Ata kanë energji shpërthyese sepse kurdoherë ashtu e kanë pasur. Ata e dinë si organizohet shoqëria, nuk u ka vdekur delli i punës, dhe nuk mund t’i trajtosh si debila dhe t’u tregosh se një qytet do kulla, se pyllëzimi është të ngulësh në beton pemë prej letre, se matësi i elektrikut rrotullohet dhe kur nuk ke asnjë dritë hapur, se kjo e se ajo. Ata nuk pranojnë propagandë dhe bosin politik që fryhet nga televizioni në televizion. Për çdo kokërr qindarkë të harxhuar si taksa, ata duan shërbimin! Nuk i do njeri sepse për ta nuk ka vende pune, se ata kërkojnë garë me konkurrencë për vende pune. Përndryshe mjaftojnë tre a katër masa të forta ekonomike dhe emigrantët duke qenë atje ku janë mund të integrohen shumë bukur në Shqipëri. Emigrantët dhe Shqipëria!

Në librin tim “Shoqëria periferike” kam treguar se çështja nuk është aspak ashtu sikurse shtrohet! Lexojeni dhe më thoni! Mos e lini në rafte të myket! Na gënjejnë! Ju gënjejnë! Nuk është e vërtetë se politika dëshiron që ata të kthehen, por të mos kthehen. Politika do që ata të mos votojnë, jo të votojnë.

Kush nuk kupton këtë ose është naiv, ose është i përdorur! Për përdorimin e tyre ne kemi edhe një ministri e përdorimit të emigrantëve, ose e budallallepsjes të emigrantëve! Pa emigrantët, ta mbash në gjumë popullsinë, është gjëja më e lehtë në botë! Të administrosh ata që e kanë mendjen për të ikur është thjesht një lojë fëmijësh! Hera e parë në histori që Shqipërisë i ndodh kështu që pas emigrimit të arbërve pas rënies së Krujës e më pas! Osmani nuk kishte problem të nënshtronte ata që mbeteshin! Problemi i emigrimit nuk është fati i keq i emigrantëve ! Mos u gaboni! Emigracioni shkatërron jetën e atyre që mbeten në Shqipëri. Nuk është ashtu si kujtoni! Unë e kam vërtetuar këtë dhe nuk ka njeri që e luan!

Exit mobile version