Rivendosja e menjëhershme në funksionim të qendrave shqiptare të Gjadrit dhe Shëngjinit, pavarësisht vendimit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë që pritet për 25 shkurtin e ardhshëm.
Edhe me koston e heqjes së juridiksionit italian mbi strukturat, që është baza e traktatit të nënshkruar me Tiranën.
Ky është objektivi i qeverisë italiane që ka vendosur të modifikojë marrëveshjen me Shqipërinë dhe mund ta bëjë këtë edhe me dekret, shkruan “Corriere della Sera”. Duke kërkuar një mënyrë, pas tre refuzimeve radhazi të ndalimeve të emigrantëve nga gjyqtarët e Emigracionit dhe Gjykata e Apelit, për të përjashtuar juridiksionin e magjistratëve italianë për menaxhimin e refugjatëve që do të riatdhesohen. Në këto orë po shqyrtohen hipoteza të ndryshme për rifillimin e transferimeve të emigrantëve, por këtë herë me një diskutim më të gjerë, që nuk përfshin vetëm të shpëtuarit në det dhe që vijnë nga vendet e përfshira në listën italiane të të sigurtëve, por edhe ata që ndodhen tashmë në pikat e nxehta dhe qendrat e pritjes në territorin kombëtar, përcjell A2.
Kjo u diskutua në një takim të premten e kaluar, gjatë të cilit u shfaq mundësia që qendrat shqiptare të mund të ktheheshin ekskluzivisht për riatdhesimin e refugjatëve që mendohet se nuk kanë kushtet për të marrë mbrojtje ndërkombëtare nga Italia – ose në qendra pritjeje. Dhe në këtë pikë nuk mund të përjashtohet që të menaxhohen nga Tirana dhe jo më nga Roma.
Në çdo rast, duke pritur për mendimin e gjyqtarëve të Luksemburgut, ekzekutivi përsërit vullnetin e tij për të ecur përpara. Dhe kjo është arsyeja pse një tjetër samit është planifikuar për sot. Takimi mund të fokusohet edhe në diskutimin e dekretit të ri – hipotezuar ndër të tjera nga Ministri i Çështjeve Evropiane, Tommaso Foti – i cili në planet e qeverisë mund të japë një zgjidhje ligjore të besueshme pas dënimeve të kundërta të gjyqtarëve për paraburgimet në Shqipëri.
Por, opozita kundërshton. “Këmbëngulja është djallëzore, qeveria duhet të ndalojë këtë çmenduri që po krijon një përplasje të paprecedentë mes pushteteve dhe një humbje burimesh”, shpjegon Simona Bonafè, drejtuese e grupit të Partisë Demokratike në Komisionin e Çështjeve Kushtetuese të Dhomës, për të cilën ekzekutivi “ngul këmbë në përpjekjen e papranueshme për të zgjedhur gjyqtarët e vet dhe për të rishkruar rregullat”.
Për kreun e grupit në të njëjtin komision, Filiberto Zaratti, “duhet ndaluar së shpërdoruari paratë e italianëve”.