Telegrafi

“Emigrantët e Tik-Tok”: Influencuesit tunizianë filmojnë imigrimin e tyre të paligjshëm në Evropë në një gomone të mbushur plot – provokojnë reagime në vendin e origjinës

Dy influencues tunizianë të Tik-Tok po përballen me reagime në vendin e tyre për ‘promovimin’ e tregtisë së paligjshme të emigrantëve duke shpërndarë video të kalimeve të tyre të paligjshme me varka dhe duke postuar imazhe të shpenzimeve të tyre në Evropë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Chaima Ben Mahmoude, 21 vjeçe, ngarkoi një video që tregonte atë duke përshëndetur ndërsa bënte kalimin nga Tunizia në Itali – që kushton më shumë se 1,000 euro – me të fejuarin e saj në një varkë të mbushur me emigrantë.

Në pamje, ajo buzëqesh së bashku me 23 emigrantë të tjerë ndërsa kërcen me muzikë rap në udhëtimin në dukje të “shkujdesur” nëpër Mesdhe.

Mesdheu Qendror është rruga më vdekjeprurëse e migrimit në botë, me më shumë se 17,000 vdekje dhe zhdukje të regjistruara që nga viti 2014.

Mijëra refugjatë janë të detyruar të marrin rrugën e rrezikshme për t’i shpëtuar luftës dhe varfërisë.

Zonja Ben Mahmoude, e cila ka afro 140,000 ndjekës në Tik-Tok, pohoi se ishte ‘detyruar’ të bënte udhëtimin prej 117 miljesh (188 km), sepse fitonte vetëm 120 dollarë në muaj nga parukeria në Tunizi.

Një muaj më parë, Sabee al Saidi, 18 vjeçe, postoi një foto të ngjashme të saj.

Ato zbritën në Lampedusa, Itali, dhe më pas udhëtuan nëpër qytetet evropiane, duke bërë selfie pranë kullës Eifel dhe duke hipur në BMW.

Por dy gratë kanë ndezur polemika me postimet e tyre në kohën e kalimit të tyre në nëntor dhe dhjetor – me tunizianët në shtëpi duke i kritikuar ato për ‘normalizimin’ e një udhëtimi që lë mijëra të vdekur çdo vit. /Telegrafi/