Telegrafi

Emery paralajmëron Liverpoolin: Luajmë para tifozëve tanë, duam të shkojmë në finale

Villarreali do të jetë nikoqir i Liverpoolit në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve.

Gjiganti anglez triumfoi në ndeshjen e parë në Anfield dhe për spanjollet rikthimi do të jetë shumë i vështirë, edhe pse jo i pamundur.

Për këtë sfidë ka folur trajneri i Villarreal, Unai Emery duke thënë se do të tentojnë të shkojnë në finalen e Ligës së Kampionëve, edhe pse e pranon se në ndeshjen e parë The Reds ishin superiorë ndaj tyre.

“Kemi shumë dëshirë për të fituar. Luajmë mundësinë për të shkuar në finalen e Ligës së Kampionëve. Në ndeshjen e parë ata ishin superior në të gjitha aspektet”.

“Nuk kam asgjë për të kundërshtuar për këtë, por nesër do të luajmë në shtëpi dhe duhet të jemi të bindur se po luajmë letrat tona, për të kërkuar duele dhe për t’i fituar ato”, u shpreh fillimisht Emery.

Tutje trajneri spanjoll tha se i gjithë qyteti identifikohet me Villarrealin, por ai thotë se do ta kenë mbështetjen e madhe të tifozëve dhe do të tentojnë ta fitojnë ndeshjen.

“Jo të gjithë e ndjekin futbollin, por ka një indentifikim të madh nga ana e qytetit me ekipin. Merita i takon presidenti Roig. Nuk do të luajmë nesër e të kënaqemi me eliminimin, duam të fitojmë. Duam ta përjetojmë këtë moment madhështor me të gjithë njerëzit tanë, tifozët tanë, kundër një rivali të madh”.

Lexo po ashtu Emery: Villarreali nuk meritonte asgjë më të mirë sesa një humbje 2-0

“Ta përmbysësh ndeshjen kur ke humbur 2-0 është shumë e vështirë. Për fatin tonë, goli jashtë fushe tani nuk vlen dyfish. Në ndeshjen e parë faktori fushë ishte shumë i rëndësishëm për Liverpool, shpresoj që nesër të jetë kështu edhe për ne”, u shpreh Emery.

Villarreal dhe Liverpool takohen nesër në mbrëmje me fillim nga ora 21:00 në Estadio de la Ceramica. /Telegrafi/