Telegrafi

Emery: Kam admirim të madh për Wengerin, ai mund ta menaxhoj PSG-në

Arsene Wenger - Unai Emery (Getty Images)

Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka vendosur të largohet nga Arsenali në fund të sezonit dhe është përfolur si pasues i Unai Emeryt në Paris Saint-Germian.

Sipas gazetës franceze L’Equipe, Wenger do të ishte trajner ideal për PSG-në, nëse parisienët do të shkarkonin trajnerin aktual Emery.

Vetë spanjolli madje foli për Wengerin si pasuesin e tij të mundshëm, duke thënë se menaxheri i Arsenalit i përshtatet skuadrës nga Parc des Princes dhe e admiron si njeri dhe trajner.

“Ai është një referencë për botën e futbollit dhe të trajnerëve. Ai i ka dhënë frymëzim këtij sporti”, ka thënë fillimisht Emery në një konferencë shtypi.

Njëra nga mbledhjet në Nyon të Zvicrës me trajnerët më të mirë në botë (Getty Images)

“Çdo vit, një grumbull trajnerësh takohen në Nyon dhe Wenger është një referencë për të gjithë ne”.

“Ai gjithmonë ka folur mirë për mua”.

“Kam admirim të madh për të si një person dhe si trajner”.

“Ai ka kualitetin dhe përvojën për të trajnuar skuadrat më të mira në botë, sikurse PSG”, përfundoi trajneri spanjoll. /Telegrafi/