Site icon Telegrafi

Emërohet Prokurori Special i Gjykatës Speciale

Amerikani David Schwendiman, deri tani prokuror i Taskë Forcës, që ka kryer hetimet për krimet e UÇK’së, është emëruar Prokuror Special i Zyrës së Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Emërimi i Schwendiman si prokuror nënkupton që edhe Taskë Forca e deritashme shndërrohet në Zyrë të Prokurorit.

“Më 1 shtator 2016, David Schwendiman, Kryeprokuror i Taskë Forcës Speciale Hetuese të BE’së (SITF), është emëruar Prokuror Special (kryeprokuror) i Zyrës së Prokurorit Special të Kosovës” thuhet në njoftim.

“Zoti Schwendiman është emëruar në pajtim me nenin 35 të Ligjit të Kosovës për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Specializuar të Prokurorit që është miratuar në gusht të vitit 2015. Emërimi i tij shënon edhe tranzicionion formal nga SITF në SPO” bën të ditur zyra e Prokurorit.

Schwendiman ka paralajmëruar një vizitë në rajon dhe një takim me media në një kohë të përshtatshme në javët dhe muajt e ardhshëm.

Gjykata Speciale pritet të funksionalizohet plotësisht pasi të miratohet në parlamentin holandez.

Pala kosovare e ka kryer punën e saj pasi ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ratifikoi marrëveshjen ndërkombëtare me shtetin e Holandës “Mbi organizimin e institucionit të Gjykatës Speciale të Kosovës i zhvendosur në Holandë”, të nënshkruar me 15 shkurt 2016 nga Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Ambasadorja e Holandës në Kosovë.

Exit mobile version