Një rrugë në Tiranë do të bartë emrin e veprimtarit “Remzi Hoxha”. E, këtë e ka mirëpritur, Ardian Hoxha, djali i veprimtarit Remzi Hoxha.
Ai thotë se është krenar se në Tiranë një rrugë do të bartë emrin e babait të tij, transmeton Telegrafi.
“Edhe Tirana emërton një rrugë për nder të babait tim Remzi Hoxha. Jemi krenarë t’ju njoftojmë se një rrugë në Tiranë tashmë ka marrë zyrtarisht emrin e babait tim, Remzi Hoxha, duke iu bashkangjitur qyteteve të tjera si Prishtina, Ferizaji, Kaçaniku, Shkupi dhe tani Tirana për të nderuar kujtimin e tij. Remzi Hoxha, i lindur në Shkup, ishte një ndërmarrës i respektuar dhe aktivist për çështjen kombëtare shqiptare në Kosovë dhe më gjerë”, shkruan Hoxha në Facebook.
Tutje, ai ka pohuar se Remzi Hoxha u zhvendos në Shqipëri për të shpëtuar nga persekutimi i regjimit të Millosheviçit dhe për të vepruar më lirshëm nga mëmëdheu jonë, Shqipëria.
“Fatkeqësisht, më 21 tetor 1995, Remzi Hoxha u rrëmbye në qendër të Tiranës nga agjentët e SHIK-ut të presidencës së Sali Berishës. Më shumë se 28 vite më vonë, ai është ende pa një varr. Shkak i zhdukjes së tij ishte fakti që ai zbuloi informacione komprometuese për Berishën, duke përfshirë një takim të planifikuar me Presidentin serb Sllobodan Millosheviç, që do të ishte parë si tradhti ndaj çështjes shqiptare”, theksoi ai.
Mes tjerash, Hoxha pohon se incidenti i dytë ishte kur babai im pa Bashkim Gazideden, drejtorin e SHIK-ut në atë kohë, duke drekuar me shefin paraushtarak serb Zeljko Raznatoviç, i njohur ndryshe si Arkani, në qytetin shqiptar të Shkodrës – gjë që gjithashtu do të shihej si tradhti. Gjithashtu, Sali Berisha është akuzuar edhe për thyerjen e embargos së naftës ndaj Serbisë dhe që ka arrestuar disa luftëtarë të UÇK-së, përfshi edhe Adem Jasharin”.
“Emërtimi i kësaj rruge shërben si një homazh dhe nderim për jetën e babit tim, Remzi Hoxha, dhe si kujtesë e angazhimit tonë për drejtësi dhe të vërtetën. Ai reflekton përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të njohur luftërat dhe sakrificat e atdheut dhe gjithë shqiptarëve anembanë botës. Qoftë i përjetshëm kujtimi për te. Falemnderit Tirana”, ka pohuar ai.
Ndryshe, këshilltarët e Partisë Socialiste në Këshillin e Bashkisë së Tiranës kanë propozuar emërtimin e një rruge në kryeqytet me emrin e Remzi Hoxhës./Telegrafi/