Telegrafi

Emërimi i drejtorëve nga radhët e PDK-së në Prishtinë, Përparim Rama refuzon të përgjigjet gjatë konferencës

Ende nuk janë emëruar një pjesë e drejtorëve në Komunën e Prishtinës, më saktësisht nuk janë emëruar drejtorët nga Partia Demokratike e Kosovës.

Në lidhje me këtë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka refuzuar të përgjigjet për medie, duke insistuar të flitet vetëm për problemin e qenve endacak, për çka ishte thirrur konferenca.

“Unë kisha dasht, mju kisha lut të fokusohemi në temë sot, sepse kjo është çështje e sigurisë”, është deklaruar Rama.

Pavarësisht insistimit të gazetarëve që të marrë një përgjigje, duke marrë parasysh edhe reagimin e Këshillit të Prindërve të Prishtinës, për mocaktimin e drejtorit të Arsimit, Rama nuk është deklaruar.

Ndryshe, Këshilli i Prindërve të Prishtinës ka reaguar për moscaktimin e Drejtorit të Arsimit në Prishtinë.

“Si përfaqësues të prindërve, duke u përballur me një valë të re të pandemisë, dhe me vështirësi të riciklueshme në shkollat e Komunës së Prishtinës, shprehim indinjatën tonë të thellë që Komuna e Prishtinës ende nuk e ka emëruar Drejtorin e Arsimit. Për këtë nivel rekord të papërgjegjësisë politike, pasojat po i bartin e do t’i bartin fëmijët tanë”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje, në reagim thuhet se “Kjo, njëherazi, është shenjë shumë dekurajuese për angazhimin tonë vullnetar nëpër shkolla: që ata që kërkuan me muaj mbështetje politike për të marrë përgjegjësi, shfaqin këtë neglizhencë në një situatë të pashembullt për arsimin në vend – që nga paslufta”.

“Rezulton, pra, se rreth 4% e kohës prej mandatit të filluar nga zgjedhjet e fundit, Komuna e Prishtinës po i kalon pa drejtor të DKA-së. Skajshmërisht e paarsyeshme”, thuhet në reagim. /Telegrafi/