Site icon Telegrafi

Emërimet në krye të Supremes dhe Apelit, presin dekretin e presidentit

Këshilli Gjyqësor i Kosovës, nuk i ka përfillur ende rekomandimet dhe shqetësimet e shprehura të përfaqësuesve ndërkombëtar, rreth mënyrës së emërimit të kryetarit të Gjykatës se Apelit dhe atij të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Në fund të muajit të kaluar, Ambasada e Mbretërisë se Bashkuar, ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,pastaj Zyra e Bashkimit Evropian dhe misioni i EULEX-it, patën reaguar ndaj këtyre emërimeve, pasi që ato i kishte anuluar paraprakisht Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke u thirrur në mosrespektimin e procedurave.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në muajin janar të këtij viti, kishte emëruar kryetar të Gjykatës se Apelit, Hasan Shalën. Kurse në muajin mars, ky Këshill emëroi Enver Pecin në postin e kryetari të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Ndërkohë, dy kandidatet për këto pozita, Valdete Daka dhe Tonka Berisha, kanë parashtruar ankesë në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo Gjykatë, në muajin qershor, po të këtij viti konstatoi se në këtë rast Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk i kishte parashikuar masat e nevojshme për të garantuar zbatimin e mjaftueshëm të parimeve të barazisë dhe transparencës.

Mirëpo, pavarësisht aktgjykimit të Kushtetueses, më 9 gusht, Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka riemëruar të njëjtit persona për kryetar, përkatësisht Hasan Shalën, kryetar të Gjykatës së Apelit dhe Enver Pecin, kryetar të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Ky riemërim pati nxitur më pas reagimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë të cilët kërkuan që procesi të jetë i drejtë dhe transparent.

Megjithatë, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi tha për Radion Evropa e Lirë se tash për tash nuk ka ndonjë ndryshim, ngase pavarësisht reagimeve, sipas tij, Këshilli Gjyqësor i ka respektuar rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Këshilli ka vendosur për emërimin e këtyre personave dhe sipas nesh nuk ka ndonjë shkelje të Kushtetutës”, është përgjigjur shkurt Idrizi.

Ndërkaq, Enver Peci i emëruar në pozitën e kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se nuk i komenton reagimet ndërkombëtare, por se emërimi i tij është bërë nga Këshilli Gjyqësor.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës, sipas Kushtetutës, është propozues për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Supreme, ndërsa Presidenti i shtetit e emëron. Këshilli Gjyqësor më ka propozuar, kurse çështja ka mbetur tek Presidenti për emërim, për dekretim”, tha Peci.

Në anën tjetër në një përgjigje më shkrim nga zyra për informim e Gjykatës Kushtetuese, thuhet se kjo gjykatë ka pranuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës njoftimin për zbatimin e aktgjykimeve të Gjykatës.

“Me po të njëjtën shkresë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka informuar Gjykatën edhe përkitazi me mbajtjen e procesit të ri të votimit për kryetar të Gjykatës Supreme dhe të Gjykatës së Apelit, në përputhje me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigje.

Sidoqoftë, në reagimet e shprehura të përfaqësuesve ndërkombëtarë thuhet se “shqetësimet e tyre kanë të bëjnë me procesin e përzgjedhjes, por jo edhe me emrat e kandidatëve”. /REL/

Exit mobile version