Emancipimi politik vjen si rrjedhojë e ndryshimeve te nevojshme, padrejtësive dhe aspiratave për ndryshmin e diskursit negativ te dukurive te ndryshme, çfarëdo qofshin ato. Emancipimi jo gjithmonë buron kur është nevoja. Ajo buron edhe prej dëshirave të llojeve të ndryshme. Në një shoqëri demokratike, të atillë çfarë ne aspirojmë, emancipimi është më se i nevojshëm. E nevojshme për një emancipim është një dukuri që na serviret dhe të cilën ne refuzojmë ta pranojmë.
Ne Stamboll të Turqisë zhvillohen demonstrata paqësore në mbrojte të një hapësire të gjelbër në qendër të këtij metropoli. Intervenimi brutal nga policia dhe rrethanat tjera, kohë pas kohe, zvogëlojnë intensitetin e demonstratave.
Mirëpo, një mobilizim i cili lë për tu dëshiruar për ne si shoqëri, ndodhi diku rreth orës 2 pas mesnatës së datës 31 maj. Masa të vogla qytetarësh dhe grupe opozitarësh, të cilat formonin aty-këtu ndonjë ortek, në shenjë solidarizimi dhe mospajtimi me politika të qeverisjes aktuale (AKP), marshuan rrugëve të qytetit. Parullat, pankartat e ndryshme, etiketimet ishin pjesë e saj, bashkë me to edhe ideja e presionit për ndryshimin e kësaj qasje qoftë pozitive apo negative (me gjasë ishte negative). Përdorimi i policisë për interesa politike qëndronte krahas me to; qëndronte ne frymën e marshit, qëndronte rrugëve të qytetit, e besa edhe mes ndërtesave të vjetra e deri ato më të reja.
Mënyra që demonstruesit kishin zgjedhur për refuzimin dhe ndëshkimin e kësaj qasje politike, ishte vet politikë. Një mobilizim për demonstratë është vet politika, zëri i drejtpërdrejt i qytetarit për mosnënshtrim dhe përmirësim.
Te ne në Kosovë është dukuri që demonstratat apo protestat të organizohen nga grupe qytetarësh apo edhe parti politike. Mirëpo, emancipimi politik i këtij rasti e bëri atë brenda katër orësh nëpër qendrat e bashkive të Stambollit. Grupe të rëndomta qytetaresh – kishte të atillë me ndërresa sportive të ekipeve të qytetit e deri të ata me veshje zyrtare. I këtillë është vet emancipimi politik. Buron brenda nesh, pa pasur ndonjë etiketim partiak apo ideologjik. Është kauza e asaj çfarë ne besojmë të jetë më drejt se ajo që na servohet, e zgjedhjes së krahut në momente kritike, e mos qëndrimit indiferent ndaj çfarëdo qoftë negativiteti shoqëror.
Gjatë kohës kur filluan këto demonstrata u binda se ndryshimet nisin nga ne. Ndryshimi fillon në momentin kur ne e ngritim zërin, ofrojmë alternativën dhe refuzojmë ofertën. Skena politike, posaçërisht ajo shoqërore tek ne, në masë të madhe i limiton mundësitë tona për ballafaqim dhe për shfaqjen e qëndrimeve tona. Skena politike, rrjedhimisht, e ulë intensitetin dhe e shuan dëshirën për emancipim dhe si rezultat e redukton edhe alternativen. Por, instrumenti për krijimin e një emancipimi të këtillë është në duart tona, është brenda nesh, rreth nesh, në internet, radio, TV, në gazetën ditore, në kafene, rrugëve të qytetit dhe kudo tjetër. Është vet politika. Qasja jonë në politikë nënkupton emancipimin tonë brenda politikës.
Vet emancipimi në politikë krijon alternativën e munguar. Është zëri im, i atij e asaj që ka qëndruar indiferent për kohë të gjatë. Është zëri i atij tjetrit, i asaj tjetrës dhe i atyre që nuk kanë hasur në një kundër-ide ndaj të cilës do nënshtrohej. Kur kundër-ideja mungon, cilado ide del triumfuese. Momenti triumfues i cilësdo ide nënkupton përqafim të saj, me apo pa vetëdije.
Është çështje e jona që ta themi atë që e besojmë të jetë e drejtë dhe e vërtetë për ne dhe për shoqërinë. Është e jona që si sportistë ta kërkojmë të drejtën tonë, si artistë ta kërkojmë hapësirën tonë, si studentë ta kërkojmë edukimin, si punëtorë dhe qytetarë të drejtën sociale, dhe si shoqëri atë që na takon. E pamundur nuk është, por kërkohet angazhim në emancipim. Emancipimi krijon presion, kurse presioni në qarqet institucionale sjell përgjegjësinë dhe llogaridhënien. Këto dyja, së bashku, definojnë idenë e vet filozofisë së shtetit, nënshtrimin e tij ndaj qytetarit.
Pra, nëse mungon emancipimi politik, nëse zëri ynë sot nuk është prezent, e tillë është edhe alternativa – jo prezente. Në logjikën dialektike, kur ideja aktuale nuk sfidohet nga një tjetër ide, mbizotëron gjendja aktuale apo status quo.
Për fund, është e pamundur që të mos citohet Gandi: “Bëhu ndryshimi që dëshiron bota”.