Elton John mori pjesë në premierën e filmit “Elton John: Never Too Late” në festivalin e filmit në New York. Ai foli për gjendjen e tij shëndetësore, me të cilën ka pasur disa probleme së fundmi. Me humor tha se “nuk ka mbetur shumë nga ai” pasi ka humbur disa organe pas operacioneve, shkruan DailyMail.
“Për të qenë i sinqertë me ju, nuk ka mbetur shumë nga unë. Nuk kam bajame, adenoide, apendiks dhe as prostatë. Më mungon kofsha e djathtë, gjuri i majtë dhe gjuri i djathtë. Në fakt, e vetmja gjë që më ka mbetur është kofsha ime e majtë. Por ende jam këtu. Dhe nuk mund t’ju falënderoj mjaftueshëm, ju jeni ata që më keni krijuar”, tha Elton.
Në festivalin e filmit, ai mahniti të gjithë fansat e pranishëm me aftësitë e tij vokale të pabesueshme dhe luajti në piano. Kohët e fundit, Elton përfundoi turneun e tij të lamtumirës dhe tani ka shpjeguar vendimin e tij për të mos performuar më.
“Siç e dini, vendosa të ndalem me turnetë sepse jam 77 vjeç, kam bërë gjithçka që mund të bëja. Ia dola mbanë”, tha ai, duke shtuar se muzika do të jetë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e jetës së tij. Ai theksoi gjithashtu se më e rëndësishmja për të është familja e tij: bashkëshorti David dhe djemtë e tyre, Zachary dhe Elijah.
Në fillim të shtatorit, muzikanti i njohur iu drejtua fansave të tij në Instagram, duke zbuluar se gjatë verës ishte përballur me një infeksion serioz në sy. “Fatkeqësisht, kam shikim të kufizuar në një sy. Jam duke u rikuperuar, por procesi është jashtëzakonisht i ngadaltë dhe do të duhet pak kohë që shikimi të më kthehet në syrin e prekur”, shkroi Elton.
Postimi i tij ngjalli reagime nga mijëra fansa, si dhe disa yje të njohura. “Të dërgoj shumë dashuri, Elton. Të uroj shërim të shpejtë. Të dua”, i shkroi Donatella Versace, ndërsa modelja e njohur Linda Evangelista gjithashtu i uroi shërim të shpejtë.
Vitin e kaluar, Elton pati probleme të tjera shëndetësore pasi ra në vilën e tij në Nice. Pas rënies, përfundoi për pak kohë në spital dhe gjithçka u konfirmua nga zëdhënësi i tij. “Mund të konfirmojmë se pas rënies së tij në shtëpinë e tij në jug të Francës, Elton vizitoi spitalin lokal si masë paraprake. Pas kontrollit, e lanë të lirë mëngjesin e nesërm dhe tani është përsëri në shtëpi,” tha zëdhënësi. /Telegrafi/