Kryesues i Grupit punues për anëtarësim në Interpol në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Veton Elshani, tha se nga anëtarësimi i Kosovës në Interpol ka interes dhe Serbia.
Elshani tha se këtë herë ekziston koordinimi i institucioneve në lidhje me anëtarësimin në Interpol, gjë që ka munguar herën e kaluar.
“Kemi kërkuar vitin e kaluar shtyrjen e votimit dhe jemi vendos në agjendë. Po mundohemi ta dërgojmë mesazhin se nga anëtarësimi jonë në Interpol ka interes dhe Serbia. Ne besojmë që të gjithë do të kemi benefite nga kjo dhe shtetet e rajonit”, ka thënë Elshani.
“Mangësi që s’mund ta fshehu ka qenë mos koordinimi mes institucioneve, për anëtarësim në Interpol. Tash ky koordinim ekziston dhe shpresoj dhe besoj që këtë vit i kemi shanset reale, që të bëhemi pjesë e Interpolit”, tha Elshani.
Ndryshe, ai tha se deri në nëntor kur do të mbahet konferenca në Dubai, Kosova do ta ketë marrëveshje edhe me Europol-in. /Telegrafi/