Kuqezinjtë nga Skenderaj me barazimin e djeshëm kundër Trepçës ’89, arrijnë në kuotën e dhjetë ndeshje pa asnjë humbje, rezultate këto që pak kush i ka pritur.
Njëri ndër lojtarët kryesor të skuadrës nga “Bajram Aliu”, Qemail Elshani, është shprehur i ngazëllyer me rezultatet e skuadrës së tij në këtë sezon të garave.
Ish futbollisti i Feronikelit, mendon se me ardhjen e Afrim Jasharit në krye të bankinës së Drenicës, janë përmirësuar dukshëm gjerat në aspektin pozitiv. Elshani lavdëron punën që bën tekniku drenicas.
Qysh prej ardhjes se Afrim Jasharit gjerat kanë ndryshuar për të mirë në skuadrën tonë. Frymëzimi që ai din ta bëjë në skuadër, madje tek secili lojtar, ka sjell këto rezultate pozitive dhe sigurisht se është një sukses i madh për ne, ka thënë Elshani për KosovaPress.
Duke folur për barazimin e djeshëm kundër Trepçës ’89, Elshani mendon se skuadra e tij ka mundur ta fitojë ndeshjen. Ai thotë se ekipi mitrovicas me fat ka shpëtuar nga humbja.
Kemi pasur mundësi të mëdha ta fitojmë ndeshjen, sidomos pas barazimit të rezultatit, por fati sportive ishte në anën e Trepçës ’89, kështu që ne nuk arritëm të marrim maksimumin e pikëve, tha Elshani.
Ai ka folur edhe për ambiciet e skuadrës së tij. Sipas Elshanit, Drenica synon që sezonin vjeshtor ta mbyll në pjesën e epërme të tabelës, e më pas krerët e klubit do të vendosin për objektivat në pjesën e dytë të garave.
Për momentin ne jemi të interesuar që sezonin vjeshtor ta përfundojmë në pjesën e epërme të tabelës dhe në dy ndeshjet që i kemi të marrim maksimumin e pikëve, e me pas gjatë pushimit që kemi, klubi do të përcaktohet për objektivat e skuadrës sonë. Ndoshta me një ndonjë përforcim adekuat ne mund të luftojmë edhe për titull të kampionit, ka theksuar Elshani.
Ai ka shtuar se Drenica kërkon fitore edhe në ndeshjet e ardhshme në mënyrë që të mos pësojë asnjë humbje deri në fund të pjesës së parë të garave.
Ndeshjen e radhës e luajmë kundër Besës. Objektivi ynë është që të vazhdojmë serinë e rezultateve pozitive jo vetëm kundër Besës, por ne synojmë që sezonin vjeshtor ta mbyllim pa humbje, ka përfunduar Elshani.
Drenica me barazimin e djeshëm kundër Trepçës ’89, ndodhet në pozitën e tretë të renditjes tabelore me 23 pikë të tubuara. /Kosovapress/Telegrafi/