Telegrafi

Elon Musk thotë se satelitët e tij nuk zënë shumë vend në hapësirë

Elon Musk ka hedhur poshtë pretendimet se projekti i tij i internetit satelitor, Starlink po zë shumë vend në hapësirë.

“Dhjetëra miliarda” satelitë mund të vendosen në orbita afër Tokës, tha ai për Financial Times.

Komentet e tij vijnë pas një pretendimi të kreut të Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) se Musk po “bënte rregullat” për industrinë e hapësirës tregtare në zhvillim.

Këtë javë, Kina u ankua se stacioni i saj hapësinor u detyrua të shmangte përplasjet me satelitët Starlink, transmeton Telegrafi.

“Hapësira është thjesht jashtëzakonisht e madhe dhe satelitët janë shumë të vegjël”, tha Musk në intervistë.

Musk kundërshtoi sugjerimet se projekti i tij Starlink Internet Services po pengonte në mënyrë efektive hyrjen e konkurrentëve në industrinë e satelitëve, duke thënë se ka hapësirë të mjaftueshme në orbitën e Tokës për satelitët. /Telegrafi/